Fjalë Kyçe

Nga Komuna e Prishtinës thonë se ndihmat për qytetarët në nevojë janë

Nga Komuna e Prishtinës thonë se ndihmat për qytetarët në nevojë janë

Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur se mbështetjet sociale për këtë vit, të destinuara për familjet në nevojë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera të ndjeshme, janë duke u vonuar për shkak të bllokadës së buxhetit të komunës nga niveli qendror i qeverisjes.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera thuhet se të gjitha procedurat janë bërë me kohë, por për shkak të ndërhyrjes së paprecedent nga niveli qendror, këto shërbime janë bllokuar.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të drejtorisë:

Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës njofton se, në përputhje me mandatin tonë ligjor dhe angazhimin institucional të përhershëm, kemi përgatitur me kohë të gjitha procedurat dhe programet për mbështetje sociale për këtë vit, duke përfshirë ndihmat financiare, mbështetjen për strehim, shujtat për fëmijët në nevojë, subvencionet për familjet me të ardhura të ulëta, si dhe projektet për integrimin e personave me aftësi të kufizuara.

Megjithatë, me keqardhje thellë ju informojmë se këto mbështetje nuk kanë mundur të procedohen për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga niveli qendror. Kjo ndërhyrje e paprecedent dhe krejtësisht e pajustifikueshme po e dëmton rëndë funksionimin normal të shërbimeve sociale dhe po i lë pa përkrahje ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje institucionale.

Është e pafalshme që qytetarët më të cenueshëm të shoqërisë sonë – të moshuarit, fëmijët në nevojë, nënat vetushqyese, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në gjendje të rëndë ekonomike – po bëhen viktimë e bllokadave politike dhe të vendimeve që nuk reflektojnë as përgjegjësi institucionale, as ndjeshmëri sociale.

Ne, si drejtori, shprehim keqardhjen më të sinqertë ndaj të gjithë atyre që me të drejtë presin përkrahje nga komuna e tyre, siç kanë marrë çdo vit tjetër. Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka qenë dhe mbetet plotësisht e gatshme për të vepruar, por pengesa që na është imponuar nga niveli qendror ka ndalur dorën e ndihmës aty ku ajo është më e domosdoshme.

Pavarësisht kësaj situate të padrejtë, ne jemi duke bërë çdo përpjekje të mundshme që të mbrojmë të drejtën për përkujdesje sociale dhe të rikthejmë funksionimin normal të programeve tona sa më parë.

Apelojmë për ndërgjegjësim dhe reflektim nga institucionet qendrore – sepse mirëqenia sociale nuk mund dhe nuk duhet të jetë peng i logjikës politike.