Fjalë Kyçe

Nga Presidenca i reagojnë Serbisë: Është bërë qendër e ekspansionit rus në Ballkan

Nga Presidenca i reagojnë Serbisë: Është bërë qendër e ekspansionit rus në Ballkan

Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi, pasi po zgjedhë të injorojë thirrjen për të iu bashkuar qëndrimit të përbashkët të Bashkimit Evropian për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas Velës, Serbia derisa po pretendon të anëtarësohet në BE, në të njëjtën kohë është “qendër për ekspansionizmin rus në rajon dhe më gjerë”.

“Kur e gjithë Evropa është e bashkuar në dënimin dhe përballjen e agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia vazhdon qasjen e saj të dyfishtë. Pretendohet të jetë i interesuar për anëtarësimin në BE, ndërkohë që është një qendër për ekspansionizmin rus në rajon dhe më gjerë. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi!”, ka shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.


Këto deklarata Vela i bëri pasi Klemen Groselj, deputet i Parlamentit Evropian, njoftoi se kanë kërkuar ngrirje të përkohshme të negociatave të pranimit në BE me qeverinë serbe dhe ndalimin e mbështetjes financiare të unionit.