Fjalë Kyçe

Nga shtatori, disa klasa do të startojnë me tekste të reja shkollore

Nga shtatori, disa klasa do të startojnë me tekste të reja shkollore

Nga shtatori i këtij viti pritet të hyjnë në përdorim tekstet e reja për klasat 3, 4, 8 , 9 dhe 12. Kështu ka vendosur Këshilli i ekspertëve për programe dhe tekste shkollore i Ministrisë së Arsimit. Vlerësimi i dorëshkrimeve të dorëzuara nga shtëpitë botuese pritet të nisë në muajin mars. Shuma që është paraparë për botimin e këtyre teksteve është 4 milionë euro.

Ndërkaq për klasat 0, 1, 2, 5, 6, 7 dhe 10, MASH ka bërë të ditur se tekstet e reja do të jenë të gatshme për vitin shkollor 2022/2023.

“Sipas planit dinamik të botimit të teksteve shkollore të publikuar nga KEPSHT, nxënësit do të kenë tekste të reja shkollore për vitin shkollor 2021/22 dhe për pjesën tjetër të teksteve më 2022/23. KEPSHT ka ndërtuar mekanizma të mbikëqyrjes që do të sigurojnë përzgjedhje meritokratike të teksteve dhe vlerësim profesional dhe autonom të recensentëve”, thuhet në përgjigje e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Kjo ministri është zotuar se me gjithë ndërrimin e qeverive, Këshilli i teksteve nuk do të ndalet dhe se do të vazhdojë me procesin sipas dinamikës së paraparë.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni vlerëson se tekstet shkollore duhet të ndërrohen urgjent. Sipas tij, paraprakisht duhet të ndryshohen edhe procedurat e përgatitjes së teksteve.

“Nuk e besoj që ndodhë askund në botë, nuk ka mundësi të bëhet aplikimi i kurrikulave të reja pa tekste mësimore. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë nuk ndodhë askund në botë. Jo vetëm që është paradoksale por me pasoja të pariparueshme për nxënësit tanë. Nxënësit tani janë viktima sepse pengohet zhvillimi i tyre dhe përgatitja e tyre për jetë”, ka thënë ai.

Dy vjet më parë u botuan tekste të reja për klasat 0, 1, 2, 6, 7, 10, 11. Procesi u përcoll me shumë parregullsi, derisa edhe tekstet u kritikuan për gabime të shumta.

Aktualisht nxënësit e klasave 3, 4, 5, 8, 9 dhe 12 mësojnë me tekste, të cilat janë botime të vjetra e që nuk përshtaten me kurrikulën e re.