Fjalë Kyçe

Nga sonte ndalohet qarkullimi në gjithë territorin e komunave të Kosovës

Nga sonte ndalohet qarkullimi në gjithë territorin e komunave të Kosovës

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka zhvilluar një konferencë për media, ku ka paralajmëruar masa të reja më të rrepta për parandalimin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit.

Deklarat e plotë e ministrit Vitia:

Sot, ne luftojmë me një armik të padukshëm. Sot më shumë se kurrë duhet të bashkëpunojmë në këtë betejë për ta mbrojtur shëndetin publik. Deri më tani kemi dëshmuar vetëdijen kolektive për të cilën u jemi mirënjohës. Mirëpo, jo mjaftueshëm. Një pakujdesi më e vogël na kushton humbje të mëdha jetësh.

Të dashur qytetarë, sëmundja Covid-19 gjatë javëve në vijim do të hyjë në fazën kulminante të shpërndarjes së saj. Tani më si konstatim i bazuar në përvojën e shteteve të tjera të cilat tani gjenden në një situatë të vështirë. Falë masave të ndërmarra dhe me bashkëpunimin tuaj, kemi arritur që deri më tani ta kemi një situatë më të kontrolluar në raport me numrin e të sëmurëve. Por, e përsëris, – fatkeqësisht kjo nuk mjafton.
Gjatë ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të të infektuarve, gjë që është evidentuar në raportin e Institutit i cili bazuar në studimet e fundit epidemiologjike nga tereni, ka sjellë rekomandimet me kërkesën për masa më rigoroze. Ne ju falënderojmë shumë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për kujdesin e treguar, mirëpo është dëshmuar që kjo nuk mjafton. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtojë shumë. Tani jemi në situatën kur nuk duhet dhe nuk mundemi të tolerojmë neglizhencë karshi këtij virusi të rrezikshëm, dhe duhet patjetër bashkëpunimi dhe koordinimi i masave bashkë me qytetarët në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme.

Marrë parasysh këtë, prej sonte në mesnatë hyjmë në fazën kur për secilën komunë hyn në fuqi vendimet në lidhje me masat që ndalojnë qarkullimin. Masat që hyjnë në fuqi sonte, do të jenë të njëjta me ato të cilat kane qene aktive deri me tash. Megjithatë, marrë parasysh që sot kemi marrë rekomandime nga IKSHPK për shtrëngimin e masave, ju njoftoj që këto masa do të jenë në fuqi deri në momentin kur të marrim vendimet e radhës – e që besoj do të jetë brenda 2-3 dite.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në vazhdimin e respektimit të masave të marra deri më tash, meqenëse nga respektimi i rekomandimeve që i kemi dhënë si Institucione, nga masat që kemi marrë dhe po i marrim e mbi të gjitha nga kujdesi dhe bashkëpunimi i juaj varen jetët tona.