Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka reaguar ndaj lajmit se kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili është është profesor në Fakultetin Ekonomik, është duke u paguar nga UP-ja pa mbajtur mësim.
Përmes një reagimi nga Univeristeti i Prishtinës janë deklaruar se Mustafa nuk është paguar që nga dhjetori i vitit 2016.
“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” reagon ndaj qarkullimit në medie dhe në platforma të tjera online, të një lajmërimi që prof. dr. Isa Mustafa është duke u paguar nga ana e UP-së pa mbajtur mësim. Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinion publik, informoheni që profesor Isa Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë nga UP-ja që nga dhjetori i 2016-tës”, thuhet në reagim.
Ky reagim i UP-së vjen pasi kryetari i Organizatës për Monitorimin e Universiteteve Publike në Kosovë “Organizata studentore”, Mexhid Ramusa, kishte deklaruar se Mustafa po paguhet nga UP-ja pa shkuar fare në fakultet.
“Reagimi jonë është në lidhje me Fakultetin Ekonomik, ku ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa merr rrogë më shumë se katër vite pa ardhë asnjë ditë në universitet dhe pa mbajtur asnjë orë mësimi. Këtë ua dëshmoj unë qartë se jam edhe student i këtij universiteti i nivelit Master dhe i kam dy landë tek i njëjti profesor dhe nuk ka ardhë asnjë orë me mbajt mësim. Ne si organizatë për monitorimin e Universiteteve Publike e kemi monitoru dhe hulumtu këtë rast dhe është 100 përqind i vërtetë. Kërkojmë nga rektorati dhe Prokuroria e Shtetit që të merren masa jo vetëm ndaj këtij profesori por të gjithë profesorëve që janë me ndikim politik dhe marrin paga dhe dëmtojnë buxhetin e universitetit pa mbajtë asnjë orë” ka deklaruari ai.