Së paku 13 punëtorë imigrantë, të cilët po flinin në trotuar pranë një rruge, vdiqën pasi një kamion i shtypi ata në rajonin perëndimor indian, Gujarat.
Zyrtarët thanë për mediet lokale se gjashtë persona të tjerë janë lënduar seriozisht në këtë aksident, shkruan BBC, transmeton Express.
Aksidenti thuhet se ndodhi pasi kamioni fillimisht u përplas me një traktor dhe më pas vozitësi e humbi kontrollin e mjetit të madh.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se humbja e jetës së këtyre njerëzve është tragjike.
Punëtorët ishin nga rajoni verior, Rajasthan, dhe po flinin pas një dite pune. Zyrtarët thanë se janë duke e hetuar incidentin, ndërsa personat e lënduar po trajtohen në një spital lokal afër qytetit Surat.
Punëtorët imigrantë shpesh flenë në trotuare në qytetet e Indisë dhe shpesh rrezikohen nga aksidentet e shkaktuara nga veturat.