Fjalë Kyçe

Ngordhin peshqit në lumin Drenica, banorët fajësojnë Ferronikelin

Ngordhin peshqit në lumin Drenica, banorët fajësojnë Ferronikelin

Mëngjesin e 25 majit, Gani Hoti kishte dalë për të shëtitur gjatë brigjeve të lumit Drenica në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit, por ajo çka kishte parë ishin peshqit e ngordhur. Dyshimet për ngordhjen e tyre i hedh tek ndotja që shkaktohet nga fabrika e “Ferronikelit”.

Për këtë janë njoftuar edhe Komuna e Drenasit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit. Por, thonë se ende nuk e dinë shkakun e ngordhjes së peshqve.

Inspektori për mbrojtjen e ujërave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Elbasan Shala, ka thënë se kanë dalë në terren dhe kanë marrë mostra për të pasur një pasqyrë më të qartë të ndotjes në këtë lumë. Rezultatet e tyre janë ende duke i pritur, raporton KOHA.

“Gjatë këtij inspektimi nuk kemi vërejtur ndonjë ndotje të veçantë, përveç shkarkimeve të ujërave nga ekonomitë familjare, megjithatë ne kemi marrë pesë mostra të ujit të cilat janë dërguar në IHMK për analiza, dhe në bazë të rezultateve do të veprojmë tutje. Këto janë vetëm supozime, prandaj ne kemi marrë një numër të konsiderueshëm të mostrave që të kemi një pasqyrë më të qartë të ndotjes në këtë lumë. Kemi marrë mostra edhe në lokacionin ku shkarkohen ujërat nga NEW Co Feronikeli LLC, prandaj ne do t’i presim rezultatet për të vepruar”, ka thënë Shala.
KOHA ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e “Ferronikelit” lidhur me pretendimet e banorëve, por ata nuk janë përgjigjur.

E zëvendësministri i Ambientit, Avni Zogiani, thotë se dyshimet e para janë se ngordhja e peshqve ka ndodhur shkaku i punimeve pa ekspertizë në shtretërit e lumenjve.

“Në tre vjetët e fundit janë shpenzuar 60 milionë euro për intervenime të tilla, të cilat vetëm kanë shkaktuar dëme. Është skandal që unë mendoj se do të duhej që të angazhohej Prokuroria në hetime për mënyrën se si janë marrë vendimet për shpenzime të tilla, të cilat vetëm kanë shkaktuar dëme serioze në ujëra, përkatësisht në lumenj”, është shprehur Zogiani.

Por banorit Gani Hoti nuk i hiqet dyshimi që shkarkimet nga “Ferronikeli” janë shkaktare për ndotjen. Ai veçmas shpreh mllef në Komunën e Drenasit se në vend se ta disiplinonin kompaninë për shkallën e ndotjes e kanë shpërblyer me mirënjohje për investime në mjedis.