Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald J. Trump, ka konfirmuar të premten se është duke i përfunduar disa marrëveshje investimi në Shqipëri dhe në Serbi. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë ngritur dyshime. Sipas “New York Timesit” ky është shembull tjetër se si familja e ish-presidentit po bën biznes jashtë vendit, madje në kohën kur Trumpi po synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Planet e Kushnerit në Ballkan raportohet se ndodhin pjesërisht edhe për shkak të raporteve të krijuara në kohën sa Trumpi ishte në krye të shtetit. Kushneri, që ishte zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se ka punuar në marrëveshje bashkë me Richard Grenellin, që për një kohë shërbeu edhe si emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Një nga projektet e propozuara është zhvillimi i ishullit të Sazanit në Shqipëri në një destinacion luksoz të turizmit.
Plani i dytë vlen për Beogradin. Aty dhëndri i Trumpit synon të ndërtojë hotel luksoz me 1500 njësi dhe një muze, në zonat e shkatërruara nga bombardimet e 1999-s nga NATO-ja, sipas një deputeti të Serbisë dhe kompanisë së Kushnerit.
Të dyja këto projekte përfshijnë toka që tash janë nën pronësi shtetërore, duke nënkuptuar se duhen marrëveshje zyrtare me qeveritë e shteteve.
Projekti i tretë, po ashtu në Shqipëri, përfshin plane për një resort në Vlorë, ku disa hotele e qindra vila duhej të ndërtoheshin.
Përfshirja e Kushnerit është planifikuar të bëhej përmes kompanisë së tij, “Affinity Partners”, që ka fond mbi dy miliardë dollarë nga Fondi Publik i Investimeve në Arabinë Saudite, si një nga investitorët. Në një deklaratë publike, “Affinity Partners” ka thënë se nuk ka vendosur nëse fondi arab do të përfshihet në projektet që synon Kushneri në Ballkan.
“Jemi shumë të lumtur”, ka thënë Kushneri në një intervistë. “Nuk i kemi finalizuar marrëveshjet, edhe mund të mos ndodhin, por jemi duke punuar fuqishëm dhe jemi shumë afër”.
Kushneri themeloi kompaninë e investimeve pasi la punën në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar i lartë. Ai ka raporte të ngushta me princin arab të kurorës, Mohammed bin Salmanin. Nga ai ka siguruar fond dy miliardë dollarë dhe qindra miliona dollarë të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Siç shkruan NYT, edhe Grenelli ka krijuar lidhje të forta në kohën sa ishte në pushtet. Gjatë kohës sa Trumpi ishte president, Grenelli ka punuar në dialogun Kosovë-Serbi. “Këto diskutime indirekt përfshinin Shqipërinë, pasi shumica e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë dhe Shqipëria luan rol në diskutimet rajonale”, shkruan mediumi prestigjioz. Grenelli ka mbetur partner i ngushtë i Trumpit. Grenelli ka thënë privatisht se shpreson që të bëhet sekretar i shtetit nëse Trumpi fiton në nëntor, sipas një personi që ka diskutuar për këtë çështje me Grenellin, dhe që ka folur për bisedat në kushte anonimiteti. Grenelli ka mohuar publikisht synimet për të marrë këtë post. Ai ka thënë se nuk ka vendosur nëse do t’i bashkohej një administrate të re potenciale të Trumpit.
Robert Weissman, president i “Public Citizen” organizatë joqeveritare amerikane, që i ka cilësuar këto marrëveshje si konflikt interesi gjatë administratës Trump, ka thënë se marrëveshjet e planifikuara ishin joetike dhe vetëm do të ngrenë pikëpyetje për familjen e Trumpit, sidomos nëse ai rizgjidhet president.
“Në këtë pikë të ciklit zgjedhor, Jared Kushner duhet të ngrijë çdo plan investimi”, ka thënë Weissmani. “Ky plan investimi duket se përfshin më të keqën nga çdo tendencë korruptive e administratës dhe familjes Trump”.
Përfshirja e familjes së Trumpit në marrëveshje biznesi jashtë SHBA-së, ishte bërë temë kyçe në mandatin e Trumpit. Kritikët kishin akuzuar familjen se po përfitonte ilegalisht nga pagesat e jashtme – në kohën sa Trumpi ishte në detyrë. Këto raste u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme kur Trumpi u largua nga detyra, por mund të rihapen në rast se rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Që nga largimi, Trumpi ka qenë partner në zhvillimin e projekteve në Oman.
Kushneri ka mohuar çdo pretendim se po merrte trajtim të favorshëm për shkak të kohës sa ishte në pushtet, apo se çfarëdo pune është e lidhur me ish-presidentin.
“Askush nuk më ‘jep’ marrëveshje”, pati thënë ai, duke insistuar se nuk po planifikonte të rikthehet në Washington edhe nëse vjehrri rikthehet si president. “Unë veproj me përpikëri dhe këto investime do të krijojnë shumë vlera për komunitetet lokale, partnerët tanë dhe investitorët tanë”.
Përfaqësuesit e Trumpit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Kushneri dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, janë distancuar nga aktivitetet politike të Trumpit që kur më 6 janar 2021, u sulmua Capitoli.
Kushneri ka refuzuar të përgjigjet të mërkurën për projektet në Ballkan, ka shkruar NYT. Megjithatë, ai ka folur të premten për “Bloombergun”.
Ai dhe bashkëshortja e tij kishin vizituar dy herë Shqipërinë qëkur Trumpi është larguar nga detyra. Kanë udhëtuar në Shqipëri me Grenellin e madje kanë takuar kryeministrin Edi Rama.
Fokusi ka qenë në ishullin e Sazanit në jug të Shqipërisë, që deri në fund të Luftës së Ftohtë ishte përdorur si bazë ushtarake e fshehtë. Plani është që aty të ndërtohet një hotel luksoz e vila. Ky është ishull gjysmë ore rrugë me anije nga Vlora. Në këtë vend tashmë Qeveria e Arabisë po shpenzon mjete në përmirësimin e rrjetit të energjisë dhe çështje tjera publike për të promovuar turizmin në Shqipëri, ka shkruar mediumi prestigjioz amerikan.
Siç shkruan ky medium, Grenelli i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Kushnerin dhe kompaninë e tij, ka qenë “i zëshëm në përpjekjet që t’i kthejë marrëdhëniet që krijoi në Shqipëri e në Ballkan në përfitime personale”. Ai është rikthyer në rajon në vazhdimësi dhe është takuar me zyrtarë të industrisë së hotelierisë, si dhe me kryeministrin Edi Rama.
“Po shohim mundësitë për të investuar nëpërmjet investimeve të huaja në Ballkan, por specifikisht në Shqipëri dhe bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm”, ka thënë Grenelli në një nga intervistat e mëhershme në Shqipëri.
Menaxhimi i projekteve i është besuar Asher Abehseras, ekspert në çështjet e patundshmërive, që në të kaluarën ka pasur projekte me Kushnerin në Brooklyn, dhe ka udhëtuar në Ballkan me Grenellin e Kushnerin.
Vitin e shkuar, Grenelli pati thënë se “nuk ka asgjë të keqe në këto marrëveshje, sepse tashmë është jashtë pushtetit”.
Sipas NYT-it, Rama ka shtyrë përpara qe më shumë se një dekadë hapjen e Sazanit për rizhvillim si destinacion turizmi, si dhe ka pasur përpjekje të tërheqë sa më shumë investime të huaja në Shqipëri, për të forcuar ekonominë.
Auron Tare, ish-deputet i Shqipërisë, që ka shërbyer si këshilltar i Ramës, i kishte dërguar Kushnerin dhe bashkëshorten e tij në ishullin e Sazanit më 2021, si pjesë e vizitës në Shqipëri, që përfshinte lundrim me jaht e udhëtim me helikopter nëpër bregdet. Tare në një intervistë ka thënë se ka diskutuar me ta për dëshirën për të zhvilluar Sazanin, por për ta bërë këtë në një mënyrë që do t’ia ruante historinë dhe mjedisin.
Kushneri dhe Grenelli kanë punuar ngushtë me biznesmenin miliarder shqiptar, Shefqet Kastrati dhe të birin e tij, Musa Kastrati. Investimet e tyre lidhen me aeroportin ndërkombëtar në Tiranë, zinxhirin e pikave të karburantit në Shqipëri, hotele e biznese të tjera.
“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë”, ka thënë Kushneri.
Në tetor të 2022-s, Shefqet Krasniqi ka blerë një shtëpi 7.5 milionë dollarëshe në Florida, pronë afër vendit ku jetojnë Kushneri e bashkëshortja e tij. Familja Kastrati vitin e shkuar ka blerë hotel në Miami në vlerë prej 55 milionë dollarëve nga familja mbretërore e Katarit.
Në një intervistë, Musa Kastrati ka thënë se roli që familja e tij luan në projektet e Kushnerit në Shqipëri nuk është ende i qartë, por se do ta ndihmojnë në ndërtimin e disa komplekseve. Ai ka konfirmuar po ashtu vizitën edhe në Mar-a-Lagon, resortin e ish-presidentit Trump në Florida, më 2022 dhe se e kishte takuar shkurt edhe ish-presidentin. Ai ka thënë se nuk e ka diskutuar marrëveshjen potenciale me Trumpin.
Grenelli në disa raste në rrjete sociale ka postuar në përpjekje për të promovuar turizmin në Shqipëri dhe ka lavdëruar Ramën. “E përkrahu vizionin e Ramës për Ballkanin”, pati thënë ai më 2021 në një intervistë televizive, pak pasi pati takuar Irfan Hysenbelliun, biznesmen të njohur në industrinë e hotelierisë. “E dua Shqipërinë dhe i ftoj investitorët amerikanë të investojnë në këtë shtet”.
Qeveria e Arabisë Saudite së fundmi ka njoftuar se po sheh mundësitë për të rritur investimet në Shqipëri, fillimisht duke ndihmuar në shërbimet e ujit, energjisë elektrike dhe kanalizimeve pranë zonave të plazhit në Vlorë, që është pikënisja për në Sazan dhe ku po ndërtohet një aeroport i ri ndërkombëtar. Ajo ka thënë se dëshiron të investojë deri në 300 milionë dollarë në Shqipëri.
Më herët gjatë muajit, zyrtarët e Arabisë Saudite kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të krijuar atë që e kanë cilësuar “Këshillin e Biznesit Saudi-Shqipëri” për të nxitur partneritet të ri ekonomik mes dy shteteve, përfshirë projektet e turizmit. Shefi i grupit nga Arabia Saudite, Abdulrahman Al-Mufarreh, nuk ka komentuar për këto çështje.