Fjalë Kyçe

Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që vrau një shtetas irakian në Vërmicë

Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që vrau një shtetas irakian në Vërmicë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 15 tetor e vitit 2024, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje pa leje e armëve”.

Sipas aktakuzës, më 17 dhe 18 qershor të vitit 2022, në një zonë malore pranë fshatit Vërmicë të Prizrenit, i pandehuri M.A. dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me një grup tjetër lidhur me kontrabandimin e migrantëve sirianë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin irakian J.H.

Nga hetimet e kryera, rezulton se M.A. ka qëlluar me pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm drejt viktimës, duke i shkaktuar vdekjen si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, siç vërtetohet nga raporti i autopsisë i përpiluar nga mjeku ligjor Naim Haliti. Gjatë të shtënave, është rrezikuar edhe jeta e disa migrantëve të tjerë që ishin bashkë me viktimën.

Prokuroria thekson se motivi i veprës ishte eliminimi i grupit rival dhe përfitimi i dobisë pasurore nga kontrabanda me migrantë. Gjatë hetimeve, në telefonin e të pandehurit janë gjetur fotografi dhe video të vrasjes, ndërsa nga komunikimet e transkriptuara në “WhatsApp”, ai e ka pranuar aktin në biseda me persona të tretë.

Gjithashtu, i pandehuri akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armës së përdorur në vrasje, pasi pistoleta ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi për veprat penale që i vihen në barrë.