Fjalë Kyçe

Ngrihet aktakuzë për katër persona që përvetësuan pronën e RTP-së

Ngrihet aktakuzë për katër persona që përvetësuan pronën e RTP-së

Prokurorja Dulina Hamiti ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj gjykatësit Lekë Prenaj dhe tre personave tjerë: Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana e Shkumbin Qehaja, për tjetërsim të pronës shoqërore, përkatësisht të Radio televizionit të Prishtinës, në vlerë miliona euro, ka njoftuar të premten “Betimi për Drejtësi”.

Bëhet fjalë për një parcelë rreth 80 ari në lagjen Veternik në Prishtinë dhe e cila është tjetërsuar në emër të një borxhi, i cili u bë subjekt i hetimit.

“Prokurorja Hamiti, në arsyetimin e aktakuzës, thekson se prokuroria ka siguruar prova dhe dëshmi të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, duke përfshi të pandehurin Hilmi Kastrati dhe Lekë Prenaj, të cilët kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, si dhe veprën tjetër penale “Legalizimi i përmbajtjes së Rreme”, të cilën e kanë kryer bashkërisht të pandehurit Hilmi Kastrati, Lekë Prenaj, Shkumbin Qehaja dhe Shpëtim Pllana”, ka shkruar “Betimi për Drejtësi” bazuar ne burime.

Në fakt, KOHA kishte raportuar për këtë rast më 14 nëntor të vitit të shkuar dhe një ditë më pas kishte nisur hetimi.

Shkumbin Qehaja, nëpërmjet gjykatës, në emër të “një borxhi që RTP-ja i obligohet” ishte bërë gati dy viteve pronar i parcelës 1781/2, e cila është pronë e Radio-Prishtinës.

Pasuria e Radio-Prishtinës menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit- AKP. Ky institucion nuk ka qenë fare në dijeni për vendimin e gjykatës që ia ka marrë rreth 80 arë, që i ka pasur nën mbikëqyrje.

Toka në vlerë milionëshe, që ishte deri në maj të 2019-s pronë shoqërore, ka kaluar në emër të pronarit privat, bazuar në një aktgjykim të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj.

KOHA e ka vërtetuar se prona e RTP-së tashmë në kadastër figuron në emrin e një pronari privat.