Mark Zukerberg, nuk është personi i parë në historinë njerëzore, që është frymëzuar nga August Çezari, themeluesi i Perandorisë Romake. Por ai është një nga të paktët, ku leksionet e mbretërimit të Augustit kanë një përkim konkret. Tek e fundit, që të dy këta burra i ndërtuan perandoritë e tyre ndërkombëtare para se të mbushnin 33 vjeç.
“Në thelb, nëpërmjet një qasjeje të ashpër, ai vendosi 200 vjet paqe botërore”- i shpjegoi Zukerberg një gazetari të “Neë Yorker” më herët gjatë këtij viti. “Si shpjegohet kjo? Për të siguruar stabilitetin e perandorisë së tij, Augusti, duhej të bënte disa gjëra. Po kështu, me sa duket edhe Facebook.
Një raport i publikuar në “The Neë York Times” javën e kaluar, zbuloi në detaje poshtëruese se sa larg kishte shkuar Facebook, për të mbrojtur dominimin e tij, dhe për të sulmuar kritikët. Ndërsa u thelluan krizat e ndryshme përsa i përket gjuhës së urrejtjes, keqinformimit dhe privatësisë së të dhënave, drejtuesit më të lartë të kompanisë u shpërfillën, dhe pastaj nisën t’ju mbaheshin sekrete, një dëshmi kjo se platforma ishte shndërruar në një vektor të fushatave të keqinformimit nga mashtruesit online rusë të mbështetur nga qeveria.
Kompania ndërmori një fushatë agresive dhe lobuese të marrëdhënieve me publikun, e cila përfshinte krijimin dhe shpërndarjen e postimeve në blogun pro-Facebook, që ishte funksionalisht i padallueshëm nga “përmbajtja e koordinuar joautentike” (domethënë, lajmi i rremë) që Facebook kishte premtuar të eliminonte nga platforma e saj.
Në një shembull të veçantë, kompania punësoi një konsulent politik, që përhapi një teori konspiracioni, duke e akuzuar Xhorxh Sorosin për financimin e protestave kundër Facebook.
Me sa duket Zukerberg, kishte marrë “qasjen vërtet të ashpër” për krijimin e hegjemonisë digjitale.
Të paktën Augusti, ishte një udhëheqës karizmatik dhe sundimtar i bindur. Askush në Facebook nuk shfaqet në Times si një vizionar po aq i guximshëm. As Xhoel Kaplan, lobisti kryesor i Facebook, i cili e inkurajoi kompaninë të fshehë faktet, mbi aktivitetin ndikues të rusëve në SHBA, nga frika e prishjes me republikanët.
As Çak Shumer, i cili u përball me një nga kritikët kryesorë të Facebook-ut në Senat, dhe i tha atij të kuptojë se si mund të bashkëpunojë me kompaninë. (Vajza e Shumer punon për Facebook). As Sheril Sandberg, drejtoresha që menaxhoi reagimin e dyshimtë dhe armiqësor ndaj krizës. Dhe sigurisht as Zukerberg, i cili duket se ka qenë vazhdimisht i munguar – ose qartë i painteresuar – gjatë takimeve kyçe rreth trajtimit të gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit nga Facebook.
Kërkesat që drejtori ekzekutiv të dorëhiqet, ose të paktën të largohet nga roli i tij si kryetar i bordit janë rritur, por Zuckerberg – i cili kontrollon 60 për qind të aksioneve me të drejtë vote – nuk ka më shumë gjasa të japë dorëheqjen, sesa kishte dikur Augusti.
Siç raporton “Ëall Street Journal”, ai u ka thënë drejtuesve të kompanisë më herët gjatë këtij viti se Facebook është në luftë. Problemi është se lufta mund të jetë humbur tashmë. E dëmtuar nga ndalimi i rritjes, morali i ulët i punonjësve, rënia e aksioneve, zemërimi publik dhe një grup bipartizan armiqsh në qeverinë aktuale, kohërat e Facebook-ut të dikurshëm, të një kompanie që zgjerohet gjithnjë e më shumë, kanë mbaruar.
Sondazhet e brendshme të kompanisë japin këtë panoramë:Facebook ishte dikur legjendar për përkushtimin e madh kultik të punonjësve të tij – raportimi mbi kompaninë ishte pothuajse i pamundur, për shkak se punonjësit refuzonin të jepnin informacione – por besimi i punonjësve tek e ardhmja e Facebook, siç gjykohet nga anketat e brendshme të raportuara nga Journal, ka rënë me 32 për qind gjatë vitit të kaluar, duke qëndruar në 52 për qind.
Afërsisht i njëjti numër punonjësish të Facebook, mendon se kompania po e bën botën një vend më të mirë, 19 pikë më poshtë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, dhe punonjësit raportojnë se planifikojnë të largohen nga Facebook drejt vendeve të reja të punës, në një përqindje më të madhe sesa në të kaluarën.
E frikshme madje edhe për Facebook, është mundësia për të cilën ekzistojnë disa dëshmi anekdotike, se nuk është më një punëdhënës i kërkuar për studentët e shkëlqyer të informatikës dhe inxhinierisë informatike. Ka dëshmi të bollshme, që sugjerojnë se Facebook po humbet joshjen e saj ndaj përdoruesve.
Në tregjet ku Facebook është më fitimprurës, baza e tij e përdoruesve ka mbetur e njëjta si në Amerikën e Veriut, ose është duke u pakësuar, si në Evropë. Kompania, mund të jetë në gjendje të siguroj veten se Instagrami – që e zotëron tërësisht vetë – vazhdon të zgjerohet në një mënyrë mbresëlënëse, por suksesi i Instagramit, nuk e ka penguar ndëshkimin e Facebook në tregun e aksioneve.
Facebook bën përgjegjes shifrat e përdoruesve europianë, jo rënien e imazhit të tij në publik, si dhe ligjin e ri agresiv të ri të privatësisë të BE. Por kjo krijon një skenar edhe më shqetësues për Facebook:suksesi i tij i vazhdueshëm varet nga një ndryshim i moderuar rregullator, të cilën nuk mund ta presë më nga qeveritë.
Ajo çfarë i bën zbulimet e Times veçanërisht të rrezikshme për perandorinë e Zukerbergut, është që ato mbërrijnë në një moment, kur në fakt ekziston vullneti politik për të sfiduar dominimin e saj. Rënia e Facebook, mund të mos vijë pas një rënieje të gjatë, por përmes veprimit të jashtëm – i goditur përmes gjobave marramendëse dhe hetimeve të kushtueshme, i ndëshkuar dhe dobësuar me një regjim të ri rregullator.
“Nuk mund të besohet se Facebook mund të rregullojë vetveten”- u shpreh javën e kaluar senatori i Rode Ajlënd, Dejvid Sisilin – i cili ka të ngjarë të drejtojë nënkomisionin e Dhomës Gjyqësore në çështjet e anti-trustit. Në Senat, skepticizmi ndaj gjigantëve të teknologjisë, është i mjaftueshëm për të bërë bashkë dy krahët e politikës, dhe duket se ka vend për një marrëveshje mbi mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë e përdoruesit.
Është e vërtetë që disa kritikë republikanë, duken më pak të shqetësuar për fuqinë dërrmuese të Facebook-ut, sesa për pretendimet e gënjeshtërta të konservatorëve, se pikëpamjet e tyre po censurohen nga platforma, por në mesin e republikanëve ka një interes konkret për vënien nën kontroll të Facebook. Veprimi kundër kompanive të teknologjisë së lartë, është një temë e dashur e Stiv Bannon dhe krahut të tij në Partinë Republikane, dhe natyrisht as vetë presidentit Trump, nuk ka ndonjë ndonjë dashamirësi për kompaninë.
Vetë amerikanët, kanë ndryshuar mendimet e tyre rreth mediave sociale gjatë vitit të kaluar, dhe shumica e tyre besojnë tani se mediat sociale e dëmtojnë demokracinë, dhe se qeveria nuk po bën aq sa duhet për ta rregulluar këtë problem. Zemërimi publik, duhet të jetë shumë më shqetësues për Facebook.
Gjigantët e tjerë të teknologjisë, kanë arritur të distancohen nga mashtrimet e drejtuara në Facebook, pasi ato kanë qartazi shërbime të dobishme. Amazon ju sjell gjërat në shtëpinë tuaj. Google ju ndihmon të gjeni gjëra në internet. Apple shet objekte fizike. Facebook…ju ndihmon të përfshiheni në debate? I jep trurit tuaj mendimet politike të shokëve të klasës?
Gjatë vitit të kaluar, kam shpenzuar shumë kohë duke u përpjekur të largoj veten nga platformat e mega-teknologjisë, përgjithësisht me pak sukses. Kërkimi në Google, pavarësisht rezervave që kam, është ende mënyra më e mirë për mua për të lundruar në internet; Amazon është ende kaq i përshtatshëm, sa që mendimi për ta braktisur më lodh.
Por kam dalë nga Facebook më shumë se një vit më parë, dhe kam hyrë sërish më pak se një duzinë herësh që nga ajo kohë. Kontrollimi i logarisë në Facebook, kishte qenë një zakon i përditshëm, por nuk kishte përmirësuar jetën time. Jo shumë plebej në Romë do ta kishte thënë këtë për Pax Romana. Disa perandori bien, për shkak se pushtohen nga jashtë ose kalbëzohen nga brenda. Ajo e Zukerbergut, mund të jetë e para në histori që do të shembet, thjesht për shkak se qytetarët e saj mbyllën llogaritë e tyre në atë platformë.
NYmag – Bota.al