Fjalë Kyçe

Ngritja e taksës s’ndikoi fare në dyqanet e veriut të Mitrovicës

Ngritja e taksës s’ndikoi fare në dyqanet e veriut të Mitrovicës

Ngritja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës pothuajse nuk ka pasur asnjë ndikim në jetën e qytetarëve në veri të Kosovës. Në marketet atje mund të gjeni pothuajse të gjitha produktet ushqimore nga Serbia.

Është fshehtësi publike se mallrat në Kosovë nga Serbia hyjnë përmes kanaleve të kontrabandës, por edhe përmes shteteve fqinje. Sipas mendimit të shumëve, një skenar i tillë u pa pas ngritjes së taksës në 100 për qind.

Pothuajse të gjitha produktet që mund të t’i gjeni në tregjet e Serbisë, qumështin dhe produktet e tij, ëmbëlsirat, pijet jo-alkoolike e të tjera, mund t’i gjeni edhe në raftet e dyqaneve në veri të Kosovë. Shumë mund të pyesin se si është e mundur kjo, kur Kosova ka ngritur taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës në 100 për qind. Përgjigja është e thjeshtë – rrugët alternative.

E se banorët e veriut të Kosovës është dashur të gjinden në këtë situatë, në mënyrë që në markete të kishin ushqimet bazë, e dëshmon për mediumin serb “N1” Radosh Petroviq, përfaqësues i biznesmenëve serbë të Kosovës.

“Në dyqane momentalisht janë të gjitha produktet. Fabrikat e Serbisë kanë gjetur mënyrat që përmes disa vendeve tjera t’i sjellin mallrat në Kosovë. Mallrat vijnë përmes kanaleve të ndryshme, por edhe përmes pjesës jugore të Kosovës”, thotë Petroviqi, transmeton Koha.net.

Ai, sikurse edhe biznesmenët tjerë nga Kosova, mendon se Kosova do të duhet të heqë taksën. Sipas fjalëve të tij, ekziston një marrëveshje e brendshme e biznesmenëve serbë që të mos i rrisin çmimet.

“Tregtarët kanë hequr dorë nga marzha e tyre e fitimit, në mënyrë që çmimi i produkteve të mos rritet dhe që qytetarët të pësonin nga ngritja e taksës. Shtrenjtimi u vërejt tek qytetarët në pjesën jugore të Kosovës, sepse u shtrenjtua mielli dhe buka”, tha më tej ai.

Nga ministria e Tregtisë në Serbi thonë se nga ngritja e taksës, në Kosovë nga Serbia ka hyrë mall më pak për 35 milionë euro.