Fjalë Kyçe

Ngushtohet trotuari në rrugën e Dardanisë

Ngushtohet trotuari në rrugën e Dardanisë

Ndërtimi i shtegut të biçikletave në Dardani është pritur mirë nga ata që i përdorin ato, e që janë në rritje këto ditë në kryeqytet. Por, ngushtimi i trotuarit, hapësirës për këmbësorë është kritikuar shumë nga qytetarët.

Kanë qenë të shumtë ata që kanë thënë se nënat me karroca nuk mund të lëvizin në të, e të tjerë që kanë ironizuar që në këtë trotuar nuk duhet të ecet drejt, por anash. Në drejtorinë e investimeve kapitale thonë se edhe pse i ngushtuar, trotuari është në masat standarde, raporton KOHA.

Në Dardani ka edhe punime të tjera, si zgjerimi i rrugës kryesore që lidh këtë lagje me pjesën tjetër të Prishtinës. Për banorët e lagjes “Dardania”, një vendim i tillë, ndonëse po merr shumë kohë, është më se i mirëpritur.

Edhe pse shprehen kritikë për intervenimet e shpeshta që komuna kryen në këtë pjesë, ata thonë se krijimi i shtigjeve për çiklizëm dhe ndërtimi i vendkalimeve për këmbësorë në dy anët e rrugës ka qenë nevojë e kamotshme.

Ndërkohë që Drejtori Gëzim Mehmeti tha se këto intervenime po bëhen në kuadër të planit të mobilitietit për Komunën e Prishtinës. Derisa sipas tij, janë nënshkruar kontratat për intervenimin edhe në lagjet e tjera kryesore të kryeqytetit.

Ai shton se me rregullimin e rrugëve në këto lagje, komuna ka për qëllim stimulimin e kryeqytetasve që ta lënë anash lëvizjen me automjete.

Së fundmi, Mehmeti tregon se komuna e Prishtinës ka filluar edhe me rikonstruktimin e rrugës në lagjen “Llapi” të Prishtinës, ku përveç vendkalimeve parashihet edhe vendosja e gypave të rinj të kanalizimit fekal atmosferik.