Ka nisur gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, për rastin e 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konserciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Në fillim të shkurtit, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha.
Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.
KOHA më shumë se dy vjet me parë pati siguruar një raport të kompanisë “Hill” , e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.
Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit. KOHA e posedon ende një kopje të raportit ku shkruhet edhe data e dorëzimit në këtë ministri.
Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh.