Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndonëse nuk e përmend me emër, ka hedhur kritika ndaj deklarimeve të fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, i cili tha se rajoni i Ballkanit duhet të shikojë nga e ardhmja e jo nga e shkuara.
Nishani, në një postim në Facebook, ka thënë se harresa çon në asimilim, ndërsa thekson se asimilimi ndaj shqiptarëve në të dyja anët e kufirit “ka qenë dhe mbetet projekti më fundamentalist albanofob”.
“Të harrosh do të thotë të mbetesh pa histori. Të mbetesh pa histori do të thotë të humbasësh identitetin. Pa identitet shkon drejt asimilimit. Asimilimi ndaj nesh ka qenë dhe mbetet projekti më fundamentalist albanofob”, theksoi ish-presidenti shqiptar, duke shtuar se “albanofobia ka lindur, është ushqyer dhe tashmë sofistikuar veç për dominim territoresh”.
Sipas tij, përgjatë gjithë historisë shqiptare trojet tona janë copëtuar dhe na janë grabitur, por thotë se “prapë s’kanë të ngopur”.
Megjithatë, në tri dekadat e fundit, Nishani thotë se këtë synim për copëtim e grabitje të trojeve tona e ka ndalur solidariteti në rritje mes shqiptarësh.
“Kjo i tmerron, kjo i tërbon, kjo i dobëson, kjo i nxjerr në dritën e diellit, siç janë, albanofobë. Le t’i mundim me më shumë solidaritet mes nesh, me civilizim, me mençuri, persistencë, urtësi, me zhvillim”, potencoi në fund ish-presidenti shqiptar, Bujar Nishani.
Ndonëse nuk është përmendur në tekstin e tij, duket se ky reagim vjen pas shprehjes së solidarizimit nga Kosova për Shqipërinë në luftën kundër zjarreve që kanë kapluar vendin pothuajse në çdo cep tash e disa ditë.
Kosova mbrëmë mori vendim për dërgimin e disa trupave ushtarake të FSK-së në Shqipëri, sikurse edhe një numër zjarrfikësish. Situata me zjarret kishte dalë jashtë kontrollit në malin mbi tunelin e Kalimashit në “Rrugën e Kombit”.
Mirëpo sot u bë e ditur se zjarri i përhapur mbi Kalimash është fikur, duke iu falënderuar bashkëpunimit në mes të dy vendeve.