Fjalë Kyçe

Një ditë para Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, ende nuk dihet as ora as vendi i mbajtjes së tij

Një ditë para Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, ende nuk dihet as ora as vendi i mbajtjes së tij

Nesër pritet të mbahet Kuvendit Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës ku edhe pritet te zgjidhet kryetari i ri i saj për një mandat tjetër katër vjeçar.

Rreth dy muaj më parë FFK e vendosi 6 prillin si datë për mbajtjen e këtij kuvendi që u pasua me shumë kritika dhe kundërshtime nga shumë njohës të futbollit dhe të infrastrukturës ligjore brenda federatës, transmeton KosovaPress.

Kryetari aktual i FFK-së Agim Ademi është kandidat i vetëm për këtë post pasi Gramoz Vokrrit iu mohua kjo e drejtë me arsyetimin e pavlefshmërisë së tri nënshkrimeve nga ana e Komisionit Verifikues brenda federatës.

Pas këtij vendimi, Vokrri e paditi FFK-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë, padi e cila të hënën u shpall si e pabazuar.

Tani, kur ka mbetur vetëm një ditë deri tek mbajtja e këtij kuvendit, Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka njoftuar për vendin dhe orën e mbajtjes së tij.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë kryetarin e FFK-së Agim Ademi përmes telefonit por që ai ka qenë i paqasshëm, kurse përgjigje përmes e- mailit nuk kanë kthyer as nga zyra për media e FFK-së.

I habitur me këtë qasje të federatës është shprehur Gramoz Vokrri i cili ka thënë për KosovaPress se as klubeve nuk iu është dërguar materiali i kuivendit.

“Është befasi. Ka edhe klube që nuk janë njoftuar fare as për materialin e kuvendit as për lokacion as asgjë”, ka thënë Vokrri.

“Jashtë çdo logjike” këtë veprim të drejtuesve të FFK-së e ka quajtur delegati i Klubit të Futbollit Drita Valon Zymberi.

Ai për KosovaPress ka thënë se nuk ka asnjë informacion as për lokacionin e mbajtjes së kuvendit e as për orën.

“Jo, as për vendin as për kohën, gjë që është jashtë çdo logjike”, ka thën Zymberi.