Fjalë Kyçe

Një grua në Pejë zbulon listën me rreth 40 persona të testuar për COVID-19 dhe rezultatet, organet nisin hetimet

Një grua në Pejë zbulon listën me rreth 40 persona të testuar për COVID-19 dhe rezultatet, organet nisin hetimet

Një listë me emrat e rreth 40 banorëve të Pejës, të cilët janë testuar për COVID-19 dhe rezultatet e testimeve të tyre është duke qarkulluar qe disa ditë në rrjete sociale.

Për listën në fjalë ka njohuri edhe Policia e Kosovës, derisa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi thonë se do të hetojnë se si ka rrjedhur lista dhe do të kërkojnë largimin e saj.

Një zonjë nga Peja duke u munduar që të tregojë hallin e saj, ka publikuar të dhëna të ndjeshme të rreth 40 banorëve të kësaj komune.

Ajo ka shpërndarë në rrjete sociale një listë me emrat e personave që janë testuar për koronavirus dhe rezultatet e këtyre testimeve.

Lista është publikuar para pesë ditësh dhe vazhdon të jetë në qarkullim.

Gazeta Express e ka pyetur zonjën në fjalë nëse para publikimit të kësaj liste ka marrë pëlqimin e personave që gjenden në të për ta publikuar, mënyrën se si e ka siguruar dhe nëse do ta fshijë këtë listë, por e njëjta vetëm ka thënë se “me këto qështje duhet te merren organet përgjegjëse”.

Për këtë listë janë në dijeni edhe në Policinë e Pejës.

Ky instituticion u ka rekomanduar qytetarëve që janë në atë listë që të ngrisin padi ndaj personit që ka publikuar listën, nëse konsiderojnë që iu është cenuar privatësia ose ankesat e tyre t’i drejtojnë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Policia e Kosovës ka njohuri për shënimet – listen që ka dalë në rrjetet sociale dhe rekomandon gjithë ata qytetarë që janë në listë, në rast që konsiderojnë që iu është cenuar privatësia, apo janë shqetësuar në ç’fardo forme të ngrisin padi civile ndaj përsonit në fjalë apo ankesat e tyre ti adresojnë tek Agjensia për Informin dhe Privatësi”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Pejës.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për të marrë informacione nëse ndonjë prej personave që gjendet në këtë listë ka dërguar ankesë.

Jeton Arifi nga kjo agjenci ka thënë se deri tash nuk kanë pranuar ndonjë ankesë që lidhet me këtë publikim, por thotë se Agjencia e sheh me shqetësim publikimin e kësaj liste.

“Deri në momentin që po komunikojmë, Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk ka pranuar ndonjë ankesë që lidhet me publikimin e listës se tëe prekurve me Covid 19 në Regjionin e Pejës. Megjithkëtë, AIP e sheh me shqetësim publikimin e listës së lartpërmendur të qytetarëve të Pejës, të cilët i janë nënshtruar testimit për Covid 19”, ka deklaruar Arifi.

Arifi ka thënë se do t’i kërkojnë menjëherë zonjës që i ka publikuar këto të dhëna që t’i heqë nga rrjetet sociale dhe se do të bëjnë një vizitë karakterit inspektues në institucionin shëndetësor që i ka përpunuar këto të dhëna, për të hetuar si se ka rrjedhur publikimi i kësaj liste.

“Do të zhvillojë një vizitë të karakterit inspektues në institucionin shëndetësor që i ka përpunuar këto të dhëna, për të hetuar si se ka rrjedhur publikimi i kësaj liste; nëse janë ndërmarrë masat e sigurisë të rekomnduara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi muaj qysh në fillim të pandemisë, por edhe më parë, me qëllim që të mos përsëriten raste të këtilla të publikimit të të dhënave të ndjeshme të qytetarëve”, ka thuhet në përgjigjet e Arifit.

Sipas tij, një përpunim i këtillë do të mund të konsiderohej i ligjshëm vetëm nëse do të ishte marrë pëlqimi paraprak i secilit prej qytetarëve, të dhënat personale të të ciëve janë publikuar brenda asaj liste.

“Nëse rezulton që ky publikim është bërë pa pëlqimin paraprak të qytetarëve, të dhënat e të cilëve janë publikuar, AIP do të shqyrtojë mundësinë e marrjes së masave që parasheh Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ndaj kontrolluesve që nuk kanë marrë masat e duhura të sigurisë për ta mbrojtur privatësinë e qytetarëve në fjalë”, ka deklaruar Arifi.