Fjalë Kyçe

Një grup turistësh festojnë Aligjynin në Majën e Lybetenit

Një grup turistësh festojnë Aligjynin në Majën e Lybetenit

Shkruan: Agim Kajtazi

Maja e Lybetenit 2498 m/lmd, një nga majat më sfiduese për t’u ngjitur, përkundër që nuk është më e larta në Kosovë, pos bukurive të shumta që ka përreth, shquhet edhe për një festë të vjetër, e cila nga banorë të fshatrave përreth të Kaçanikut dhe më gjerë, kremtohet çdo vit.

Nis më 1 gusht, kur rrëzë Majës, te kroi, ngrihen çadrat, ndizen zjarret, piqet mishi dhe shpërthen kënga deri natën vonë. Në orët e hershme të 2 gushtit, fillon ngjitja drejt majës, e cila është në distancë prej rreth 4 km, por që merr, diku tri orë për t’u ngjitur deri atje, ku pritet lindja e diellit.

Ky lloj kremtimi, rrënjët i ka që në lashtësi. Sipas Kadri Halimit, etnolog, shumë shekuj më parë, kjo është quajtur si Festa e Maleve apo Mesvera, pasi ka rënë mu në mes të stinës së verës.

E njëjta, njihet me emra të ndryshëm sipas krahinave, si: festa e Gjallicës, festa e Runës, festa e Tomorrit; është krishterizuar si festa e Shën Mërisë, dhe është islamizuar si Aligjyni ndërsa në Krujë si festa e Sari Salltëkut. Kjo festohet në data të ndryshme, 15 gushti është ndikim romak sipas Mark Tirtës, Sari Salltëku më 22 gusht, ndërsa Aligjyni festohet më 2 gusht. Data e saktë për këtë festë siç ka qenë në zanafillë është mbrëmja e 6 gushtit ndërsa më 7 gusht është dita. Gjashtë ditë para kësaj feste dhe gjashtë pas kësaj janë 12 ditët më të nxehta të vitit, kur njerëzit frikësoheshin se janë ditë kur dalin fantazmat më tepër, apo besohej se siç merrte moti në këto 12 ditë ashtu do të merrte moti në 12 muajt e ardhshëm. Me kalendarin e sotëm këto i bien 12 ditët e para të gushtit. Kjo festë festohej gjatë natës në maja malesh, ku ndizeshin zjarre të vogla sa për të pjekur mishin, merrnin avdes te krojet, i faleshin diellit, flijonin dhi, etj.

Kureshtar, për të parë nga afër se si kremtohet kjo festë, e njohur në popull si Aligjyni, prej muajsh pata vendosur të isha pjesë e saj. Kështu, këtë vit, me disa miqtë dhe mikesha të respektuara, më 1 gusht shkuam atje. Përreth nesh pashë disa familje, grupe shokësh, të cilët kishin ngritur tendat, ndezur zjarret. Disa bënin gati ushqimet, dikush tjetër hante.

Rreth orë 1:30 minuta, nëpër terr, nisëm ngjitjen drejt Majës së Lybotenit. Dëshira për të arritur atje mbisundonte mbi telashet e shtegut, erërat e rrëmbyeshme dhe të ftohta në pjesën e fundit para arritjes në maje, ku gjetëm një acar të vërtetë. Meqë s’rrihej dot në një vend nga ftohti i madh dhe derisa po prisnim lindjen e diellit, duhej thënë diçka në përpjekje për ta harruar sadopak atë.

– Dëgjoni mirë! – u thashë miqve që dridheshin si unë. – Nga sot e tutje, kurrë më nuk do ta përdorë fjalinë: Çele derën se zheg. Qeshën të gjithë, edhe unë me ta, duke pritur lindjen e diellit.

Nga Maja e Lybotenit u luta për shëndet, mirëqenie dhe besim në të ardhmen. Pak më tutje, disa metra, rrëzë majës, pashë një plak rreth të 70-tave. Isha kureshtar të flisja me të. Më tha se ishte hera e tretë që po ngjitej në Maje të Lybetenit. Herën e parë, pohon se e kishte bërë shumë vite më herët.

“Nuk m’kujtohet viti bash saktë, po shumë herët “, më thotë duke shtuar se të dytën e kishte në vitin 2010 dhe këtë të tretën në vitin 2020. Marrë vesh se e ka falënderuar Zotin për shëndetin, bereqetin dhe të mirat që i ka dhënë.

Rreth orës 08:30, zbritëm te stanet, ku pasi paketuam të gjitha gjësendet që kishim lënë te tendat, u nisëm drejt shtëpive tona duke bërë plane si mund të bëhet ngjitja herën tjetër.

Kështu ishte këtë vit, e meqë kjo do të vazhdoj, gjithsesi edhe viteve në vijim, konsideroj se autoritetet shtetërore, më konkretisht Komuna e Kaçanikut, duhet të jenë pjesë e saj. Si?! Duke e rregulluar rrugën deri të stanet, pasi, derisa dolëm atje, pamë disa vetura të prishura si rezultat i gjendjes së mjerë në të cilën ndodhje ajo; të caktoj një njësi patrulluese të policisë në atë pjesë, e cilat do të siguronte një qetësi, pasi gjatë gjithë mbasditës së 1 gushtit dhe orëve të hershme të 2 gushtit s’pushoi zhurma e motorëve që drejtoheshin nga disa të rinjve, të cilët bënin xhiro m’u afër tendave. Të njëjtit pos që krijonin njëfarë pasigurie për ne, ngase pa qëllim mund të përfundonin brenda tendave tona, pengonin të pushoje në orët e fundit, para ngjitjes.