Një person është plagosur si rezultat i të shtënave me armë zjarri sonte në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth orës 20:15 dhe se personi i plagosur është dërguar për trajtim në QKUK.
“Rreth orës 20:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit. I plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, Policia e Kosovës po vazhdon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim identifikimin e të dyshuarve të përfshirë në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.