Fjalë Kyçe

Një lojtar i Prishtinës rezulton pozitiv para nisjes për në Antalya

Një lojtar i Prishtinës rezulton pozitiv para nisjes për në Antalya

Një ditë para nisjes për në Antalya të Turqisë, futbollistët dhe stafi i Prishtinës, i kanë kryer testet për koronavirus.

Nga të gjithë të testuarit, vetëm portieri Alban Muçiqi ka rezultuar pozitiv. Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN, drejtori i Prishtinës, Fisnik Kërçeli.

“I kemi kryer testimet për koronavirus. Vetëm një lojtar ka rezultuar pozitiv. Bëhet fjalë për Alban Muçiqin, i cili do të mbetet i izoluar në Kosovë dhe nuk do të udhëtojë me ekipin. Prishtina do të niset drejt Antalyas së Turqisë për fazën e fundit të përgatitjeve në ora tre të mëngjesit të së martës”, tha Kërçeli.

Drejt Antalyas do të niset të martën edhe Drita. Skuadra nga Gjilani është testuar sot, kurse të martën në mëngjes do ti marr rezultatet.

“Ne jemi testuar sot dhe rezultatet do ti marrim të martën. Nëse ndonjë lojtar rezulton pozitiv atëherë do të mbetet në Kosovë”, ka deklaruar Feti Murseli, drejtor i përgjithshëm i Dritës. Drita dhe Prishtina do të takohen në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, e cila është planifikuar të luhet me 23 janar në Antalya. Shkaku i testimeve jashtë vendit, kjo ndeshje mund të mos zhvillohet. Këtë e kanë konfirmuar drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli dhe drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli.