Fjalë Kyçe

“Një marrëveshje Kosovë-Serbi, do ta largonte Rusinë nga Ballkani”

“Një marrëveshje Kosovë-Serbi, do ta largonte Rusinë nga Ballkani”

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë në lidhje me tarifën 100 për qind.

Në këtë njoftim thuhet se në Prishtinë po vazhdohet manipulimi me çështjen e taksës.

Po ashtu, thuhet se Kosova po detyron Beogradin që të vendosë emrin e Republikës së Kosovës në mallra, duke bërë kështu që indirekt, Serbia ta pranojë Kosovën si shtet.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ardian Kastrati, këtë reagim të Rusisë po e sheh si normale, pasi që konsideron se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta linte Rusinë pa aleat në Ballkan.

“Rusia ka frikë që eventualisht arrihet ndonjë marrëveshje. Dhe, nesër ajo ndodh, rrjedhimisht Rusia përjashtohet nga Ballkani. Përjashtohet sepse ajo ka ngelur e lidhur vetëm me serbët dhe Serbinë. Të gjithë popujt e tjerë sllavë, ia kanë kthyer shpinën atyre”, tha ai.

Në një deklaratë për KosovaPress, profesori Kastrati tha se pavarësisht se kërkesa për heqjen e taksës, nga ana e Rusisë, është e njëjtë me atë të Bashkësisë Ndërkombëtare, qëllimet janë të ndryshme.

“Në esencë tjetër qëllim ka kërkesa ruse për heqjen e taksen, tjetër e partnereve perëndimore. Pavarësisht që kërkesa është e njëjtë, qëllimet e tyre dallojnë. Madje, ruset në këtë rast kanë shpërfillur fare subjektivitetin e Kosovës dhe institucioneve, duke përdorur terminologji pezhorative. Këta janë ruset- nuk ofrojnë zgjidhje, qesin benzine ne zjarr. Tymi i këtij zjarri ua krijon atyre prezencën këtu!”, tha ai.