Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim për mjekun që sulmoi fizikisht profesoreshën e mjekësisë

Një muaj paraburgim për mjekun që sulmoi fizikisht profesoreshën e mjekësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, të pandehurit Arsim Gashi, mjek gjinekolog që dyshohet se sulmoi fizikisht profesoreshën Hatixhe Latifi-Pupovci, në Fakultetin e Mjekësisë, ka njoftuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, të enjten.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e ka aprovuar si të bazuar.

“Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, tha ajo.

Lidhur me sulmin, Latifi-Pupovci pret që organet kompetente t’i japin “dënimin meritor” kolegut të saj, që e sulmoi fizikisht të martën në ambientet e institucionit ku punon.

Sulmi fizik dyshohet se ndodhi pasi i biri i të dyshuarit, student i Latifi-Pupovcit, nuk ka arritur ta kalojë provimin e mbajtur në lëndën e saj.

Arsim Gashi dyshohet se ka pasur edhe raste të tjera të sulmeve, duke përfshirë ish-drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Arben Vitia.