Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në një familje shqiptare që jetonte prej vitesh në Kalamata të Greqisë.
Për shkak të xhelozisë, burri 45 vjeçar ka tentuar ta vrasë bashkëshorten 39 vjeçe, duke i vënë flakën. Gjithçka ka nisur me një konflikt verbal dhe më pas situata është përshkallëzuar. 45 vjeçari e ka spërkatur të shoqen me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Fqinjët kanë dëgjuar britmat e gruas dhe kanë parë tym të dilte prej banesës së tyre, kësisoj kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësit.
Fatmirësisht ndërhyrja në kohë e policisë dhe zjarrfikësve kanë bërë që gruaja të shpëtojë e gjallë edhe pse me djegie serioze në trup.
Prej zjarrit dëme pësoi dhe 45 vjeçari, i cili u arrestua nga policia nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Në momentin e ngjarjes, dy fëmijët 16 dhe 18 vjeç të çiftit shqiptar, nuk ndodheshin në banesë. Shtypi grek nuk ka publikuar identitetin e burrit dhe gruas, por bëhet me dije se ata jetonin dhe punonin prej vitesh në Greqi.