Një person është ngjitur në kulmin e Klinikës së Psikiatrisë në mëngjesin e sotëm, dhe kishte tentuar të hidhej.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informatën rreth orës 8 të mëngjesit dhe janë njoftuar edhe zjarrfikësit e ambulanca.
“Pas një bashkërendimi të mirë dhe profesional të veprimeve të të gjitha ekipeve për menaxhimin e situatës së paraqitur, me ndihmën e shkallëve të zjarrfikëseve është arritur që zyrtarët policor të afrohen deri afër personit që dyshohej se do të kërcej nga kulmi i ndërtesës (klinikës)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka njoftuar se gjatë kapjes së 27-vjeçarit, ai ka përdorur edhe dhunë duke lënduar tre zyrtarë policorë.
“Zyrtarët policor gjatë tërë kohës përmes veprimeve dhe komunikimeve mjaft profesionale për rrethanat e ngjarjes janë përpjekur ta qetësojnë personin në fjalë në mënyrë që ta shmangin incidentin dhe për një çast është arritur të kapet personi, mirëpo gjatë përpjekjeve për ta kapur, personi në fjalë tashmë i dyshuari mashkull/kosovar (viti i lindjes 1993) ka filluar të përdor dhunë të vazhdueshme dhe duke sulmuar zyrtarët policor. Megjithatë, falë përpjekjeve dhe vendosmërisë së zyrtarëve, i dyshuari është vënë nën kontroll dhe me ndihmën e zjarrfikësve është arritur zbritja e tij në tokë, përderisa i njëjti menjëherë iu është nënshtruar trajtimeve mjekësore në klinikën psikiatrike. Gjatë këtij intervenimi për ta parandaluar personin në fjalë të kërcej nga ndërtesa dhe ballafaqimit me të, lëndime trupore kanë marr tre zyrtarë policorë, të cilët kanë marr trajtim mjekësor në emergjencë”, thuhet në njoftim. “Lidhur me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë dhe në konsultim me prokurorin janë ndërmarr veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rastit”.