Fjalë Kyçe

Një polic i vdekur nga koronavirusi dhe 154 të infektuar

Një polic i vdekur nga koronavirusi dhe 154 të infektuar

Ishte pjesë e Njësisë Elitare të Policisë së Kosovës. Ilir Gjokajt humbi jetën nga Covid-19. 39 vjeçari që shërbente në stacionin Policor të Gjakovës është varrosur të premten pasdite në varrezat e fshatit Skivjan të Gjakovës.

Bashkë me Gjokajn, janë kolegët e tij nga Policia e Kosovës që nuk e kanë ndërprerë angazhimin që nga dita e parë kur është shfaqur pandemia në vend. Deri më tash, brenda Policisë janë prekur me Covid 19 154 zyrtarë policorë. Kështu bën të ditur Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Të angazhuar në luftën me pandeminë, sipas komandantit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, janë afër 4000 mijë policë. Tash e disa ditë, këta zyrtarë policor po punojnë në orar 12 orësh. Kjo sipas Sindikatës së Policisë është ngarkesë.

Por pavarësisht gatishmërisë, nënkryetari i kësaj sindikate, Shaban Tasholli thotë se do të kërkojnë vazhdimin e kompensimit prej 300 eurosh për secilin polic.

Gjatë kohës së pandemisë, policët po ashtu e kanë të ndaluar të shfrytëzojnë të drejtën për pushim vjetor. Në Policinë e Kosovës thonë se po i kushtojnë rëndësi të veçantë sigurimit të masave mbrojtëse për zyrtarët policorë.