Fjalë Kyçe

Një veturë përplaset në portën e zyrës së Merkelit, policia po heton motivet

Një veturë përplaset në portën e zyrës së Merkelit, policia po heton motivet

Vetura që u përplas me portën e zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel.
Vetura që u përplas me portën e zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel.
Një veturë, në të cilën ishin shkruar mbishkrimet: “Stop politikës dhe globalizmit” dhe “Vrasës të mallkuar të fëmijëve dhe të moshuarve”, është përplasur të mërkurën në portën e zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel.

Dhjetëra policë dhe zjarrfikës dolën menjëherë në vendin e ngjarjes. Policia gjermane tha se ka arrestuar një 54 vjeçar, i cili është intervistuar në lidhje me incidentin.

“Ne nuk e dimë nëse arsyet psikologjike apo të tjera e motivuan shoferin”, u tha gazetarëve jashtë ndërtesës, një zëdhënës i policisë.

Gazeta e Berlinit “BZ” raportoi se i njëjti automjet, i cili kishte një targë nga qarku veriperëndimor i Lippes, kishte goditur portat e kancelarisë më 2014.

Në atë kohë mesazhet në veturë ishin: “Jepni fund ndryshimit klimatik – ky vrasës i njerëzve” dhe “Nicole, unë të dua”, raportoi BZ.

Nuk është e qartë nëse Merkel ishte brenda ndërtesës gjatë kohës së incidentit.

Si gardhi, ashtu edhe makina, dukeshin kryesisht të padëmtuara, raportoi Reuters.

Në Berlin janë mjaft aktive grupet e krahut të majtë anti-globalizimit, anëtarët e së cilës janë përpjekur të ndalojnë projektet e zhvillimit nga ndërmarrjet e mëdha globale.

“Kancelarja, anëtarët e tjerë të qeverisë dhe njerëzit që punojnë në zyre nuk ishin në rrezik”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, duke shtuar se incidenti kishte shkaktuar vetëm dëme të vogla.

Merkel, të mërkurën kishte në plan të diskutojë në një video-konferencë me kryeministrat e landeve për masat kundër pandemisë.

Evropa është në gatishmëri të lartë pasi militantët e dyshuar islamikë vranë tetë persona në Paris, Nice dhe Vjenë në javët e fundit.