Fjalë Kyçe

Njeriu i LDK-së kthehet në garë për drejtor të ShSKUK-së

Njeriu i LDK-së kthehet në garë për drejtor të ShSKUK-së

Valbon Krasniqi, ish-kandidat për deputet nga LDK-ja është kthyer në garën për drejtor të ShKSUK, pasi ishte eliminuar fillimisht për mungesë të përvojës menaxheriale.Një javë më parë, Valbon Krasniqi ishte jashtë listës së kandidatëve për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Por sot emri i tij figuron në listën përfundimtare nga ku do të zgjidhet edhe drejtori i ShSKUK-së, shkruan Kallxo.com

Fillimisht, në njoftimin e datës 20 janar të këtij viti, Krasniqi përshkruhej se nuk kishte përvojë menaxheriale.Në konkursin e shpallur për drejtor të ShSKUK-së është kërkuar që kandidatët duhet t’i kenë 10 vjet përvojë pune, prej të cilave 5 vite në nivel menaxherial drejtues të institucioneve të nivelit dytësor apo tretësor të kujdesit shëndetësor, ose organizatave me aktivitet të veçantë në fushën e menaxhmentit shëndetësor.

Valbon Krasniqi kishte qenë kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2017, por nuk kishte arritur të mbledhte votat e nevojshme për tu zgjedhur.