Fjalë Kyçe

Njeriu që rrahu 15 vjeçarin me çekan raportohet se është kushëri i Naim Tërnavës

Njeriu që rrahu 15 vjeçarin me çekan raportohet se është kushëri i Naim Tërnavës

Përleshja fizike që kishte ndodhur të premten në fshatin Lismir të komunës së Fushë Kosovës po rezulton se Zymber Tërnava të ketë qenë kushëri i myftiut të Kosovës, Naim Tërnavës, e jo vëllai i tij siç ishte raportuar më parë.

Fillimisht mediumi që raportoi për këtë ngjarje, Zymber Tërnavën e prezantoi si vëlla të myftiut. Por pas reagimit të Tërnavës, ky medium ka raportuar se Zymberi nuk është vëllai i myftiut, por kushëri.

Myftiu Tërnava për Insajderin kishte mohuar të gjitha raportimet se vëllai i tij ishte i përfshirë në këtë ngjarje. Kishte thënë se ai nuk ka asnjë vëlla me emrin Zymber.

Tërnava ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal ndaj mediumit që sipas tij dha lajm të rrejshëm.

“Unë si myfti i Republikës deklaroj se është gënjeshtra e radhës drejtuar kundër meje. Asnjeri nga dy vëllezërit e mi nuk është i përfshire në asnjë përleshje e as në ketë për të cilën informon opinionin. Vëllai im nuk e ka emrin Zymer, ndaj kërkoj nga portali ‘fakte plus’ që të kërkoj falje publike për ketë shpifje të radhës drejtuar kundër personalitetit dhe reputacionit tim. Nesër do të ngre padi kundër atyre të çilet u morën me ketë shpifje”, ka shkruar Tërnava në reagimin e tij.

Sipas asaj që raporton FaktePlus në këtë fshat ditën e diel kishte ndodhur një rrahje e mandej edhe kërcënime me armë, për çka janë detyruar të intervenojnë njësitet policore për të ndaluar më të keqën.

Një ditë më parë Policia e Kosovës njoftoi për një rrahje që ka ndodhur mes disa personave në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, për çka edhe janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, mësohet se ngatërresa ka nisur tek ura e fshatit, kur Zymer Tërnava ishte duke kaluar andej me veturë, kurse 15 vjeçari E.Tërnava ishte duke ruajtur bagëtinë aty afër.

Pas fjalosjes, Zymer Tërnava kishte dalë nga vetura për t’i qëruar hesapet me 15 vjeçarin E.Tërnava, si dhe një person tjetër i moshës mbi 20 vjeçare, që kishte qëlluar aty.

Zymeri thuhet se e ka rrahur brutalisht 15 vjeçarin, duke e goditur madje edhe me çekan. Sipas dëshmitarit, Zymer Tërnava nuk i ishte mjaftuar me kaq, pasi në fund e ka gjuajtur nga ura 15 vjeçarin, nga një lartësi prej 7 metrave, me ç’rast i mituri kishte pësuar lëndime të rënda për çka edhe ka marrë ndihmën mjekësore.