Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e masës antidamping dhe kundërbalancuese për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia po mbështetet nga njohës të ekonomisë.
Përkundër reagimeve të shumta opozitare, Visar Vokrri drejtor programor në Institutin Riinvest thotë se vendimi është legjitim pasi ligji e parasheh që një masë nuk mund të zgjasë më shumë se 5 vite.
“Vendimi për heqjen e masës është në përputhje me ligjin për masat antidamping dhe për masat kundërbalancuese sepse ligji e parasheh që një masë nuk mund të zgjasë më shumë se 5 vite. Mirëpo, kjo nuk e pengon Ministrinë që me kërkesë të industrisë të fillojë një investigim të ri, nëse ka dyshime të bazuara se dëmi në industri mund të vazhdojë nga importi i bllokave me bazë të argjilës nga Serbia”, thotë ai.
Se ky vendim është legjitim e thotë edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Bardh Ahmeti. Porse, është i bindur se Kosova mund të gjejë mënyra për të vazhduar masat që janë në dobi të prodhuesve vendorë.
“Vendimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bazuar në thirrjen ligjore të cilën e kanë gjetur është legjitim. Mirëpo nëse analizojmë ndikimin që kjo ka për prodhuesin vendor, sigurisht që kjo e dëmton atë dhe nuk e favorizon në këtë situatë. Duke marrë parasysh sjelljet e Serbisë po edhe në debatet e fundit që janë zhvilluar lidhur me Mini-Shengenin atëherë edhe ne mundemi me gjet mënyra kreative që këto masa përtej mënyrave ligjore me i vazhdua më shumë në përkrahje të prodhuesit vendor”, thotë Ahmeti.
Ndërkaq ishin partitë opozitare që kanë reaguar karshi shfuqizimit të masës antidamping dhe kundërbalancuese për bllokat që importohen nga Serbia.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të premten paralajmëroi thirrjen e një interpelance në Kuvendin e Kosovës për siç thonë ata, krijimin e lehtësirave të importimit të mallrave serbe.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në një konferencë për media tha se qeveria Kurti po i hap dyert për Serbinë, pasi sipas tij, po i largon ligjet që ndalojnë vërshimin e produkteve serbe në Kosovë.
“Ne e kemi marrë shumë me shqetësim këtë ngjarje. Kjo qeveri po tregohet që në vazhdimësi është hipokrite ndaj parimeve dhe fushatave që ka pasur në vazhdimësi gjatë kohës kur ka qenë në opozitë edhe kur ka qenë shoqëri civile, ku janë përplasur edhe kamionë të ndryshëm për mos me lejuar importimin e mallrave. Dhe tash lëre më që nuk po qesin pengesë, por fatkeqësisht ata po i largojnë edhe ligjet që ndalojnë vërshimin e produkteve serbe në Kosovë. Ata po e mbështesin edhe më tutje aleancën me Serbinë, po i hapin dyert me Serbinë e po i mbyllin ato me Shqipërinë. Kjo është një ditë e zezë edhe për ekonominë e Kosovës e sidomos për prodhuesit e Kosovës ku në vazhdimësi ata kanë promovuar ‘Duaje tënden’, ndërsa ata sot në praktikë po tregojnë që janë kundër produkteve vendore”, tha ai.
Reagim pati edhe nga LDK-ja, e cila tha se LVV erdhi në pushtet duke mashtruar qytetarët.
“Në opozitë rrëzonin kamionët që vinin nga Serbia, tani në pushtet, Vetëvendosje mirëpret materialin ndërtimor nga Serbia dhe heqë barrierat që kishin vënë qeveritë paraprake! Erdhën në pushtet duke i mashtruar qytetarët, duke proklamuar se Kosova i është nënshtruar ekonomikisht Serbisë e se Qeveritë e kaluara të Kosovës ishin tradhtarë për këto veprime”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se qeveria në vend se të vendosë reciprocitetin me Serbinë, i ka shfuqizuar masat mbrojtëse antidamping.
“Mashtrimi vazhdon. Shet leksione patriotizmi në negociata, e në anën tjetër e heq çdo barrierë që mbron prodhuesit vendor nga prodhimet serbe”, deklaroi Haradinaj.
E sqarime për këtë vendim ka dhënë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ajo ka deklaruar se kanë shfuqizuar vendimin sepse më 7 korrik të këtij viti sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.
“Kemi shfuqizuar vendimin sepse më datë 07.07.2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.
Megjithatë, vlen të theksohet se aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dal me analiza konkrete. Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, ka shkruar ajo në Facebook. /kp