Fjalë Kyçe

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë e administratës Biden, Abdixhiku: Liderët shtetërorë i detyrohen qytetarëve për një shpjegim

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë e administratës Biden, Abdixhiku: Liderët shtetërorë i detyrohen qytetarëve për një shpjegim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden, ndërsa sipas tij dy vite me Qeverinë Kurti pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket i rënduar dhe aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën deri “tek ky përfundim”, pasi sipas tij, politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

Si arritën deri këtu?

Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Pra njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden. Si njëri nga Presidentët më të involvuar me çështjen e Kosovës, që nga vitet e 90-ta e këndej, Joe Biden dhe qëndrimi këmbëngulës për Kosovën, shpërfaqnin një mundësi të jashtëzakonshme për popullin e vendin tonë.

Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen. Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmen, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik.

Liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën – në dy vite të tyre – deri tek ky përfundim. Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik.