Tre shkencëtarë, prej tyre dy zviceranë dhe një amerikan, e kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë për vitin 2019 për shkak të rezultateve dhe gjetjeve të tyre rreth gjithësisë.
James Peebles, Michel Mayor dhe Didier Queloz e fituan çmimin më prestigjioz për fushën e fizikës, ndërsa njoftimi u bë gjatë një konference të Komitetit të Nobelit në Stokholm të Suedisë.
Peebles u nderua me këtë çmim për punën shkencore sa i përket evolucionit të gjithësisë, ndërsa Michel Mayor dhe Didier Queloz u përfshinë në listën e laureatëve për zbulimin e një planeti që sillet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin.
Tre fituesit do ta ndajnë mes vete në pjesë të barabarta edhe shpërblimin financiar prej nëntë milionë kronash suedeze, të cilat janë të barasvlershme me rreth 828 mijë euro.
Njëri nga fituesit, profesori Queloz, tha: “Që nga zbulimi i bërë para 25 vjetësh, të gjithë më thoshin se ai është një zbulim për Çmimin Nobel. Unë as që mendoja për të, prandaj sigurisht që më erdhi si befasi. E kuptoj rëndësinë e zbulimit, por bota po bën punë të mrekullueshme në fizikë dhe mendoja se ne kurrë nuk do ta kemi këtë çmim”.
Në kohën kur e kishin bërë zbulimin, astronomët zviceranë ishin duke punuar në Universitetin e Gjenevës. Mayor ende e gëzon titullin “profesor emeritus”, ndërsa profesori Queloz tash punon si profesor në Universitetin e Kejmbrixhit në Britani të Madhe, shkruan “BBC”.