Fjalë Kyçe

Nora e Akil Gjakova, mbretërit e sportit në Kosovë për vitin 2018

Nora e Akil Gjakova, mbretërit e sportit në Kosovë për vitin 2018

Xhudistët, Nora e Akil Gjakova janë mbretërit e sportit në Kosovë për vitin 2018. Motër e vëlla, fituan çmimet kryesore në ceremoninë e zgjedhjes së Laureatëve 2018, të organizuar mbrëmë për herë të tretë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, shkruanGazetaAlo.

Ceremonia e mbajtur në Restaurant Golden Imperial në Prishtinë, mblodhi figurat më të shquara të sportit, politikës dhe kulturës, derisa veçohet ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi, e cila ia ndau çmimin trajnerit të saj, Driton Kuka, presidenti i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, Viron Bezhani, aktorët e mirënjohur, Rasim Thaqi (Cima), Leze Qena, Besim Dina, ambasadorë të ambasadave të huaja në Prishtinë etj.

Kampionia e Evropës për vitin e kaluar dhe e Lojërave Mesdhetare Tarragona 2018, Nora Gjakova, fitoi çmimin “Sportistja e Vitit 2018”. “Faleminderit KOK-ut. Më vjen mirë që ky çmim u nda nga presidenti Besim Hasani, që si Komitet kanë punuar drejt avancmit të sportit, si dhe faleminderit ministrit Kujtim Gashi, që ka punuar shumë dhe ka qenë motiv i madh që sukseset tona të vijnë në momentin e duhur, kur jemi drejt kualifikimit Olimpik. Është nder për mua të bëhem pjesë e historisë së sportistëve më të mirë të Kosovës”, tha Nora.

Ndërsa, Akil Gjakova, që gjatë vitit 2018 fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, u bë kampion i Evropës për U-23, si dhe medalist i artë në

Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, fitoi çmimin “Sportisti i Vitit 2018”, i cili iu na nga sekretari i pwrgjithshwm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, nwnpresidenti Gazmend Maxhuni, si dhe presidenti i KOK-shit, Viron Bezhani. Akili falënderoi KOK-un për çmimin, familjen, trajnerin Driton Kuka dhe në veçanti kryetarin e FXHK-së, Agron Kuka.

Trajneri i tyre, Driton Kuka, fitoi për herë të tretë epitetin e “Trajnerit të Vitit”, por këtë herë çmimin ia ndau nxënësja e tij, Majlinda Kelmendi. “Jam i privilegjuar që mora çmimin nga nxënësja Majlinda Kelmendi. Në vitin 2018 përveç vajzave doli në skenë edhe një djalë (Majlinda Kelmendi), fitoi Grand Slamin e Parisit. Kemi filluar me Lojërat Evropiane 2015, Medaljen Olimpike 2016, pastaj Lojërat Mesdhetare 2018, ku fituam tri të arta dhe një të argjendë, si dhe medaljen Olimpike për të rinj të Erzës. Nuk e di a ka mbetur diçka tjetër pa u fituar. Xhudo tashmë është bërë brend për shtetin e Kosovës”, u shpreh Kuka.

Xhudoja mori edhe dy çmime tjera. Shpat Zeka u vlerësua si “Shpresa më e mirë Olimpike”, pas bërjes nënkampion i Evropës për junior, ndërsa Erza Muminoviqit, ndërsa i njëjti çmim por në konkurrencën e femrave i takoi Erza Muminoviqit, medaliste e bronztë nga Lojërat Olimpike për të Rinj “Buenos Aires 2018” dhe kampione e Evropës për kadete. Të dy theksuan se çmimi është motiv shtesë për suksese tjera.

Kombëtarja e futbollit u shpall më e mira, pas suksesit të vitit të kaluar, ku nuk pësoi asnjë humbje në nëntë ndeshjet e zhvilluara. Çmimin e pranoi përzgjedhësi Bernard Challandes. “Jam i nderuar të jem këtu para jush. Mendoj se e merituam këtë çmim jo vetëm për rezultatet, sepse ne jemi këtu në Lëvizjen Olimpike për të shprehur edhe vlerat Olimpike.

Ky ekip ka luajtur lojë të bukur, por jo vetëm, pati agresivitet në suaza të fair-playt, pati disiplinë dhe kreativitet, nganjëherë hasëm në vështirësi por gjithmonë ishim krenar”, u shpreh zvicerani Challandes.

Me “Çmimin Special” u nderua Kombëtarja e karatesë në konkurrencën e femrave, të cilat zunë vendin e shtatë në botë dhe të dytin në Ballkan. Karateistja Adelina Rama tregoi për suksesin, në të cilin përkundër vështirësive hynë në mesin e më të mirave në botë.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në fjalën e tij, përmendi promovimin e madh që po ia bënë sporti dhe sportistët shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Arsyeja e tubimit të sotëm janë sportistët që vetëm gjatë vitit të kaluar bënë që flamuri i Kosovës të ngritet lartë për më shumë se 50 herë në shumë shtete anekënd botës, madje edhe në shtetet që për arsye palidhje të Qeverive të tyre nuk e njohin shtetin e Kosovës, por janë qytetarët e tyre që me nder e respekt qëndrojnë përballë flamurit të Kosovës!”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Ai përmendi edhe sakrificat e mëdha të sportistëve për të ardhur deri tek medalja Olimpike, si dhe numrin prej 106 shteteve që ndoshta ende nuk e njohin ndjenjën e medaljes së artë Olimpike.
Ministri Kujtim Gashi foli për mbështetjen e vazhdueshme të MKRS-s për sportin, derisa e cilësoi si ndër më të mirin vitin që lam pas.

“Është vërtetë kënaqësi që jam sonte këtu. Ishin rezultatet që vërtet na bënë të ndjehemi mirë edhe ne si MKRS dhe si Qeveri.

Rreth 100 medalje në të gjitha sportet i erdhën vendit tonë në 2018-tën”, u shpreh ministri, që përmendi edhe rritjen e subvencioneve për federatat prej 1 milionë e 400 mijë në 3 milionë Euro.

Për të gjithë të shpërblyerit u ndanë edhe shpërblimet prej 500-200 Euro, si dhe Çmimi “Vrapuesja Ilire”.

Ceremonia u përshkrua me video-materiale të ndryshme, pika artistike-muzikore, derisa mbrëmja u transmetua drejtpërdrejt në RTK dhe Kosova Press, kurse sponsor i Laureatëve 2018 ishte Qumështorja Drena.

Risi ishte edhe momenti i nënshkrimit të të gjitha laureatëve në tri vitet e fundit, ku fotot e tyre qëndronin në një pllaketë të veçantë. /GazetaAlo