Fjalë Kyçe

Nuhiu: Më mbetet merak eliminimi nga Evropa

Nuhiu: Më mbetet merak eliminimi nga Evropa

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, përveç që shpalli Dritën kampione të Superligës së Kosovës për edicionin 2019/20, është në rrugë të mbarë për ta mbrojtur këtë titull ani pse është ende shumë herët.

Nuhiu për këtë sukses ka marrë edhe çmimin e trajnerit të vitit 2020 në Kosovë. Gjilanasit kishin marrë pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, por që kishte hasur në raste me Covid-19 dhe ishin eliminuar. Kurse në Ligën e Evropës arritën ta mposhtin Sileksin e Maqedonisë së Veriut, për t’u eliminuar më pas nga Legia e Varshavës. Ardian Nuhiut i kishte mbetur merak eliminimi nga Liga e Evropës pasi, sipas tij, Drita kishte plane të mëdha.

“Gjithmonë do të kërkojmë të rritemi dhe të vetëdijesohemi. Ne arritëm të dalim kampion, por duhet të mos kënaqemi me kaq. Do të kërkoj edhe këtë vit edhe në të ardhmen ku do të punoj, të kemi suksese. Pjesa që më ngelet merak është eliminimi nga Evropa, sepse kishim plane të mëdha. Por më vjen mirë që futbollistët shkruan histori duke kaluar Sileksin në Ligën e Evropës. Patëm përballë një kundërshtar të fortë, por shohim përpara dhe synimet janë të rritemi dhe të ecim para nga viti në vit”, ka thënë Nuhiu për “Koha.mk”.

Ndryshe, Drita ka mbyllur stinorin vjeshtor në elitën e futbollit të Kosovës në pozitën e parë me 41 pikë, tri më shumë se Ballkani që zë vendin e dytë.