Parashikimet e Presidentit Trump për një vaksinë kundër koronavirusit para zgjedhjeve të 3 nëntorit, nuk do të përmbushen.
Të premten, gjigandi farmaceutik Pfizer njoftoi se nuk do të kërkojë autorizim emergjent për nxjerrjen e vaksinës së saj kundër koronavirusit deri në fund të nëntorit.
Dy kompani të tjera kryesore janë në pritje. Një kompani e katërt, nuk ka gjasa të ketë rezultat deri në fund të vitit.
Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se një vaksinë do të ishte në dispozicion para zgjedhjeve, si pjesë e operacionit shumë të reklamuar nga administrata e tij “Operation Warp Speed”, e krijuar për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinës.
Shkencëtarë me peshë brenda dhe jashtë qeverisë kanë thënë prej kohësh se afati kohor nuk është realist. Duke pranuar situatën në fillim të muajit, Presidenti Trump fajësoi politikën pa dhënë shpjegime.
“Mendoj se duhet ta kemi para zgjedhjeve,” tha zoti Trump përmes një videoje të postuar në Twitter pak pas daljes së tij nga spitali pas trajtimit për COVID-19. “Por sinqerisht, politika përfshihet, dhe kjo është situata, ata duan të luajnë lojërat e tyre. Do të jetë menjëherë pas zgjedhjeve.”
Siguria përpara së gjithash
Në një deklaratë të premten, shefi i kompanisë Pfizer Albert Bourla tha se deri nga fundi i tetorit do të dihet nëse vaksina funksionon. Por nuk do të kalojë provat e sigurisë deri në fund të nëntorit.
“Siguria është dhe do të mbetet përparësia jonë kryesore,”tha zoti Bourla.
Varianti i kompanisë Pfizer është një prej vaksinave që po ndjekin një qasje të re për imunizimin. Në vend të injektimit të pacientëve me një virus të vdekur ose të dobët apo mikrobe të pjesshme, vaksina përmban udhëzime gjenetike për një pjesë të koronavirusit. Trupi i pacientit merr udhëzimet, të njohura si mRNA, dhe prodhon fragmentin e virusit. Sistemi imunitar reagon ndaj fragmentit, duke përgatitur trupin të luftojë kundër virusit.
Pfizer po bashkëpunon me firmën bioteknologjike gjermane BioNTech, e cila doli me udhëzimet gjenetike që po testohen në vaksinë. Deri tani rreth 40 mijë njerëz po marrin pjesë në provat klinike.
Para shqyrtimit për autorizim emergjent nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, kompania duhet të vëzhgojë të paktën gjysmën e pacientëve për dy muaj pas marrjes së dozës së fundit për të parë efektet anësore.
“Vlerësojmë se do të arrijmë një moment historik në javën e tretë të nëntorit,” shkruajti Bourla.
Një tjetër kompani, pararojë për vaksinën që përdor teknologjinë mRNA, Moderna gjithashtu pret rezultatet në fund të nëntorit.
Në pritje
Ndërkohë, dy prova të tjera të vaksinave janë ndaluar si rezultat i disa shqetësimeve lidhur me sigurinë e tyre. Kompania AstraZeneca tha se ndaloi përkohësisht provat e saj pasi të paktën një pjesëmarrës rezultoi me një sëmundje të pashpjegueshme.
Njoftimet nga media e kanë përshkruar sëmundjen si mieliti i tërthortë, një formë inflamacioni kurrizor që mund të shkaktojë dhimbje, dobësi dhe paralizë të gjymtyrëve, si dhe probleme të fshikëzës dhe zorrëve. Por kompania nuk ka konfirmuar diagnozën.
Pauzat për të kontrolluar raste të mundshme të sigurisë në provat e vaksinave nuk janë të rralla, thonë ekspertët, si dhe ka shumë faktorë përveç vaksinës që mund të kenë shkaktuar sëmundjen aktuale.
Prova ka rifilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë në pritje.
Një tjetër vaksinë që po përdor një qasje të ngjashme, nga kompania farmaceutike Johnson & Johnson, po ashtu është ndeshur me një pengesë sigurie, megjithëse problemet e saj mund të mos jenë të lidhura me vaksinën. Kompania njoftoi për një sëmundje të paspjegueshme në një prej pjestarëve të provës javën e kaluar.
“Po mësojmë më shumë rreth sëmundjes së këtij pjesmarrësi dhe është e rëndësishme të kemi të gjitha faktet para se të ndajmë informacione të mëtejshme,” tha kompania përmes një deklerate.
Ndërsa kanë marrë miliarda dollarë nga qeveria amerikane, kompanitë farmaceutike po ndërmarrin hapa të paparë për rritjen e prodhimit të vaksinës para daljes së rezultateve.
Megjithatë nuk do të ketë vaksina të mjaftueshme menjëherë për të gjithë. Agjencitë qeveritare po hartojnë plane se kush mund ta marrë vaksinën i pari. Punonjësit e kujdesit shëndetësor, të reagimit të shpejtë dhe popullatat më të rrezikuara si dhe të moshuarit, ka gjasa të jenë të parët në rradhë.
Shefi i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Robert Redfied i tha Kongresit muajin e shkuar se mund të duhet kohë deri nga mesi i vitit të ardhshëm që shumica e amerikanëve të vaksinohet./VOA