Tifozi i ri i Celtic, Calan Clark u bë hit absolut në rrjetet sociale pasi mashtroi nikoqirët e derbit “Old Firm”, ata të Rangers, duke qenë pjesë e ndeshjes në derbin e madh në një mënyrë të paparë deri tani.
Clark nuk kishte biletë për derbin e madh, por ai kishte një plan të madh dhe ai plan i ndezi, duke u bërë që mediat e ishullit të shkruajnë për të prej ditësh.
Tifozi i ri nuk kishte biletë, por aplikoi për punë në një kioskë ushqimore që ndodhet brenda stadiumit dhe është në pronësi të Rangers.
Të dielën, ditën e ndeshjes, ai ka shkuar në turnin e parë në punë dhe më pas është fshehur në tualetet e “Ibrox Stadium” ku ka pritur deri sa tifozët kanë hyrë në stadium.
Pasi tifozët e Celtic mbërritën në Ibrox, ai u bashkua me ta dhe “u zhduk” në turmën e tyre, përcjell telegrafi.
“Dje takova një djalosh në stadium i cili aplikoi për punë në një kioskë dhe ishte i veshur nga koka te këmbët me veshje pune. Ai duhej të fillonte punën në orën 9 të mëngjesit. Ai hyri në stadium për punë, por u fsheh në tualete derisa erdhën tifozët e Celtic dhe më pas u bashkua dhe brohoriti me ne gjatë gjithë ditës”.
“Përshëndetje për ty, djalosh. Çfarë lëvizjeje”, ka shkruar një tifoz i Celtic, të cilit iu përgjigj autori i kësaj vepre të mrekullueshme.
“Ja ku jam miku im. Këmbët po më vrasin gjithë ditën se isha në ato këpucë”, ka shkruar Clark.
Tifozi i ri postoi gjithashtu foto nga tribuna si dhe një foto të formularit që ai plotësoi për të hyrë në stadiumin Ibrox.