Fjalë Kyçe

Nuk ka datë për rifillimin e garave sportive në Kosovë

Nuk ka datë për rifillimin e garave sportive në Kosovë

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë datë për rifillimin e garave sportive të cilat u ndërprenë në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Vendosja e një date nuk u bë e mundur as pas takimit të së mërkurës në mbrëmje ndërmjet të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi si dhe Përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe të Komitetit Olimpik.

Në njoftimin për media pas takimit, thuhet se kryetari i FFK-së, Agim Ademi shprehu nevojën që ndeshjet e futbollit të mbahen sa më parë për shkak të afateve që i ka vendosur UEFA për mbylljen e këtij edicioni garues.

Në njoftim thuhet se ministri i Shëndetësisë, Vitia e ka informuar komunitetin sportiv se po ndërmerren të gjitha veprimet e duhura që gradualisht të rifillojnë edhe aktivitetet sportive, në pajtim me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Garat sportive, tubimet dhe ngjarjet kulturore janë ndërprerë që nga muaji mars kur në Kosovë u shfaqën rastet e para me koronavirusin e ri. Shumë vende evropiane janë duke kaluar nëpër një proces të lehtësimit të masave sa i takon kufizimeve të lëvizjes dhe organizimit të aktiviteteve sportive.

Liga Gjermane e Futbollit mbetet ndër të parat që do të fillojë ndeshjet sportive me 16 maj, me dyer të mbyllura dhe pa publik.