Furnizimi me material për prodhimin e letërnjoftimeve pritet të bëhet në fillim të muajit dhjetor. Deri atëherë qytetarët e Kosovës nuk mund të pajisen me dokumentin e tyre të identifikimit, si pasojë e mungesës së këtij materiali. Komunat e Kosovës kanë mungesë të materialit për të prodhuar letërnjoftim që prej muajit gusht.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministri i Brendshëm Agim Veliu tha se materiali për dokumentin e identifikimit duhet të posedojë elemente të larta të sigurisë, andaj procedurat për prodhimin e tij kërkojnë më shumë kohë.
“Me ligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 janë ndarë 300 mijë euro ku Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke zhvilluar të gjitha procedurat që në afat sa më të shkurtë kohor të furnizohet me material për letërnjoftim. Për njoftimin tuaj, ky material është shumë sensitiv dhe duhet të posedojë elemente të larta të sigurisë prandaj edhe procedurat për prodhimin e këtij materiali marrin kohë. Kjo procedurë besojmë se do të përfundojë në javën e parë të muajit dhjetor ku pritet të bëhet edhe furnizimi me material të nevojshëm për prodhimin e letërnjoftimeve”, tha Veliu.
Deklarata e Veliut erdhi pas pyetjes së deputetit Sejdi Hoxha, i cili tutje tha se po bëhet diskriminim ndaj qytetarëve që aplikojnë për letërnjoftim.