Edhe me nota të mira dhe përvojën e duhur, Islam Borinca nuk është pranuar në Universitetin e Prishtinës, derisa për fat të mirë është pranuar në atë të Gjenevës.
Islam Borinca gjatë studimeve ishte studenti më i mirë në gjeneratën e tij 2013/2014, ai studioi Psikologji shkollore dhe këshillim, studimet i përfundoi me mesataren 9.9, vlen të ceket se përveç se temën e diplomës e punoi me një mentor nga Universiteti i Prishtinës.
Ai gjithashtu për herë të parë bashkëpunoi edhe me një bashkëmentor nga Universiteti i Gjenovës, Itali (diçka e pazakontë në Kosovë për nivelin master).
Mirëpo, mundi i tij nuk u vlerësua nga profesorët e Departamentit të Psikologjisë, shkruan albinfo.ch.
Pavarësisht këtyre pengesave ai vazhdoi rrugën e dijes, në vitin 2016 ai fitoi Bursën e Ekselencës për të filluar studimet doktorale cila do të zgjaste tre vite, njëherësh kjo bursë i jepet vetëm një aplikanti në gjithë Ballkanin. Në vitin 2017 pas fitimit të Bursës së Ekselencës faqja e Universitetit të Prishtinës e shpalli si një ndër studentët më mendje ndritur të këtij Universiteti duke theksuar se ishin tejet krenar për suksesin e tij.
Në kuadër të doktoraturës së tij, ai morri pjesë në shumë Konferenca shkencore si në SHBA, Belgjikë, Francë ndërsa në Universitetin Cyrihut ishte i ftuar special për ta mbajtur një ligjëratë.
Ndërsa tani ai do merr pjesë në një ndër Konferencat më të mëdha të kontaktit-ndërgrupor në Newcastle të Australisë dhe njëkohësisht është Psikologu i parë shqiptar që merr pjesë në një konferencë të tillë, gjithashtu gjatë studimeve doktorale të tij, ai realizoi shumë hulumtime si dhe ka shumë publikime në journale shkencore, gjithashtu ai tani është pjesë në një ndër projektet më të mëdha në Evropë në kuadër të “Qendrës Nacionale për Kompetenca në Hulumtim” si dhe në “Serinë e Migrimeve dhe Lëvizshmërisë”, të cilat ai i bëri publike edhe në rrjetet sociale.
Gjatë doktoraturës së tij në Zvicër, ai deshi të jap kontributin në vendin e tij dhe kishte aplikuar dy herë në Universitetin e Prishtinës si asistent, por aplikimi i tij ishte refuzuar pavarësisht faktit që i plotësonte të gjitha kushtet dhe ishte i njohur nga të gjithë.
Në vitin 2019 ku ai është akoma student i doktoraturës i jepet mundësia të punoj si asistent i Psikologjisë Sociale në Universitetin e Gjenevës.
Si ndodhi rasti
Islam Borinca në një intervistë për albinfo.ch, ka treguar se si ka ndodhi rasti. “E kam fituar bursën e ekselencenës për Kosovë dhe Ballkan dhe në shtator të vitit 2016 nisa studimet doktorale në Zvicër. Pastaj gjatë studimeve ishin dy konkurse dhe mendova te angazhohem dhe të jepi kontributin në Kosovë, mirëpo nuk më përzgjodhën. Edhe pse i kisha të gjitha në aspektin e mesatares dhe përvojës. Gjithashtu jam shpallur si një studentët më të dalluar nga faqja e rektoratit të UP-së në Facebook. Por tani jam pranuar si asistent në Universitetin e Gjenevës, pra përveç studimeve doktorale jam i angazhuar edhe si asistent dhe i përfshirë në disa projekte”, ka thënë Borinca për albinfo.ch.
Ai është injoruar totalisht nga Universiteti i Prishtinës. “Unë nuk figuroja fare në listë. As të pranuarve dhe as të refuzuarve. Kam tentuar të bisedoj, madje e kam kontaktuar me email dekanatin e filozofikut, por s’kanë pasur përgjigje në këtë aspekt. Kam qenë i injoruar. Dekani është treguar i sjellshëm, por nuk ka mundur ta shpjegoj rastin ose të bëj diçka në këtë aspekt”, shtoi tutje Islam Borinca.
Atij i vjen shumë keq për realitetin në Kosovë. “Për momentin, jam shumë i lumtur, pasi që jam në vitin e tretë të studimeve doktorale, punoj nën supervizion e profesorit Falomir Pichastor, dhe se fundi jam pjesë e projektit në lidhje me imigracionin me profesorin Pichastor dhe profesoreshën Eva Green nga Universiteti i Luzanës, por më vjen keq për realitetin tonë në Kosovë dhe për mënyrën si më kanë trajtuar”, përfundoi ai për albinfo.ch.