Numri i të infektuarve me koronavirus është duke u rritur në Gjermani, kanë bërë të ditur të dhënat zyrtare, vetëm disa ditë pasi që shteti zbuti masat.
Sipas Institutit Robert Koch (RKI), norma e riprodhimit në Gjermani – numri i personave të infektuar prej secilit pacient të konfirmuar – tani është mbi 1.
Kjo do të thotë se numri i të infektuarve po rritet në këtë shtet, raporton BBC, transmeton KOHA.
Raporti ka ardhur teksa mijëra gjermanë janë mbledhur të shtunën, duke kërkuar që t’i jepet fund mbylljes së shtetit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka paralajmëruar lehtësimin e masave gjatë javës së kaluar, pas bisedimeve me 16 landet e Gjermanisë.
Të gjitha shitoret janë lejuar të hapen, nxënësit do të kthehen gradualisht në shkollë, teksa Budesliga do të rifillojë fundjavën e ardhshme.
Gjermania është e shtata përkah numri i rasteve të konfirmuara në botë, me 169.218 të infektuar dhe 7.395 të vdekur.