Numri i viktimave si pasojë e përmbytjeve shkatërruese në Gjermaninë perëndimore dhe në Belgjikë u rrit në të paktën 170 të shtunën pasi shpërthimet e lumenjve dhe përmbytjet këtë javë shembën shtëpi dhe shkatërruan rrugë si dhe linja elektrike.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, rreth 143 njerëz vdiqën si rrjedhojë e përmbytjeve në katastrofën më të rëndë natyrore të Gjermanisë në më shumë se gjysmë shekulli. Kjo përfshinte rreth 98 viktima në rajonin Ahrweiler në jug të Kolnit, sipas policisë.
Qindra njerëz ende raportohen të zhdukur ose janë të paarritshëm pasi disa zona ishin jo të qasshme për shkak të niveleve të larta të ujit.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier vizitoi Erftstadt në landin e North Rhine-Westphalia, ku katastrofa la të vdekur të paktën 45 njerëz.
“E ndajmë pikëllimin me ata që kanë humbur miq, të njohur dhe familjarë”, tha ai.
Rreth 700 banorë u evakuuan të premten vonë pasi një digë u thye në qytetin Wassenberg pranë Kolnit, thanë autoritetet.
Por kryetari i bashkisë të Wassenberg, Marcel Maurer, tha se nivelet e ujit ishin stabilizuar gjatë natës.
“Është ende shumë herët për të thënë se gjithçka është në rregull, por ne jemi optimistë”, tha ai.
Në Belgjikë, numri i të vdekurve u rrit në 27, sipas qendrës kombëtare të krizës, e cila po koordinon operacionin e ndihmave atje.