Fjalë Kyçe

Nxënësit e fshatit Ballaban ecin çdo ditë nga 12 kilometra për të shkuar në shkollë

Nxënësit e fshatit Ballaban ecin çdo ditë nga 12 kilometra për të shkuar në shkollë

Fëmijët e fshatit Ballaban të Prishtinës çdo ditë ecin nga 12 kilometra në këmbë për ta ndjekur mësimin. E në mungesë transporti, këta fëmijë këtë rrugë e bëjnë në këmbë.

Përveç kësaj, ata ballafaqohen edhe me rrezikun nga kafshët e egra që janë më aktive gjatë muajit të dimrit.

Kosum Kosumi, arsimtar i shkollës “Tefik Canga” Ballaban ka thënë se nxënësit rrezikohen çdo ditë prej qenve e ujqëve.

“Prej shtëpisë së nxënësve deri këtu janë afërsisht dy kilometra, janë dikund 4 kilometra edhe një shtëpi është atje poshtë, është e pamundshme rrezikohen prej qenve prej ujqëve”, ka thënë ai për RTK.

“Nxënësit nëpër fshatra të tjera i transportojnë deri në shkollë e në fshatin tonë fëmijët vijnë në këmbë në shkollë nuk e kanë transportin”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit të Drejtorisë së Arsimit, Isa Avdiu, kompania që do të zgjidhet për transport është në tender.

“Me marrëveshjen e drejtorit në të ardhmen kur të shpallim tenderin për këtë relacion do të paraqesim që janë edhe këto rrugica ku janë dikund 5-6 kilometra i shtohet transportit, pas vitit të ri do të bëjmë të pamundurën që të bartim këta nxënës”, ka thënë ai.

“Deri më 15 janar zgjidhet problemi”, ka shtuar Avdiu.

Por, pavarësisht këtyre sfidave të nxënësve e mësimdhënësve, për nder të festave të fundvitit “Akademia shqiptare e udhëheqjes për themelimin e kishave” u ka dhuruar nxënësve dhurata.