Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin.
O’Brien ka thënë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës të martën.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Kjo ka nxitur reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia. Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë vendimin për një periudhë tranzicioni, për të informuar më mirë qytetarët. Por nga Qeveria nuk kanë dhënë shenja do të heqin dorë – megjithëse BQK-ja ka njoftuar se do të ketë afat tre muaj për “edukim dhe informim” të komuniteteve.
Por O’Brien po kërkon që vendimi të tërhiqet tërësisht dhe më pas të gjendet një zgjidhe.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”, ka theksuar ai.
O’Brien ka thënë se Kosova nuk ka konsideruar këshillat e partnerëve për këtë vendim.
“Vendet moderne të Evropës i zgjidhin këto çështje me dialog paraprak dhe informojnë banorët me kohë”, ka thënë ai, duke shtuar se pas vendimit ka pasur vetëm një shkëmbim të shkurtër me kryeministrin Albin Kurti.
O’Brien tutje ka thënë se vendimi i BQK-së për dinarin është marrë pa planifikim dhe me nxitim.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka deklaruar ndihmës-sekretari i SHBA-së.