Fjalë Kyçe

OBSh-ja në mbledhje të posaçme për variantin e ri të koronavirusit

OBSh-ja në mbledhje të posaçme për variantin e ri të koronavirusit

Këshilltarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë duke mbajtur një takim të posaçëm të premten për të ofruar më shumë të dhëna rreth një varianti të ri shqetësues të koronavirusit, i cili është shënuar më shumë në Afrikën Jugore, ndonëse një eksperte e lartë thotë se ndikimi i këtij varianti në vaksinat kundër Covid-19 mund të mos dihet për disa javë.

Grupi teknik këshillëdhënës për evoluimin e Covid-19 po zhvillon takim virtual për të diskutuar rreth variantit të quajtur B.1.1.529, që ka shkaktuar rënie në tregjet e aksioneve dhe ka bërë që Bashkimi Evropian të rekomandojë ndërprerje të fluturimeve drejt pjesës jugore të Afrikës, shkruan Associated Press.

“Ende nuk dimë shumë për të. Ajo që dimë është se ky variant ka numër të madh të mutacioneve dhe se shqetësimi është që kur ka kaq shumë mutacione, kjo mund të ketë ndikim në mënyrën se si virusi sillet”, tha Maria Van Kerkhove, udhëheqëse teknike e OBSh-së në luftën kundër Covid-19.

“Do të nevojiten disa javë që ne ta kuptojmë ndikim që ky variant ka në ndonjë vaksinë potenciale, për shembull”, shtoi Van Kerkhove.

Drejtori i grupit këshillëdhënës, Dr. Anurag Agrawal, tha se është shumë herët për ta komentuar variantin e ri. Ai tha se nevojiten më shumë të dhëna para se të mund të shtojë material në informatat që tashmë janë në dispozicion.