Fjalë Kyçe

OEAK bën thirrje që taksa të hiqet pa kushte

OEAK bën thirrje që taksa të hiqet pa kushte

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një komunikate për media, shprehu shqetësimin e saj për, siç tha, diskursin e ditëve të fundit rreth tarifës që Republika e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Barrierat tarifore që shtetet e këtij rajoni i vendosin njëra-tjetrës e pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve, e rrjedhimisht ngadalësojnë avancimin e rrugëtimit të tyre euro-atlantik”.

“Në këtë aspekt, shfuqizimi pa kushte i vendimit për tarifën, në përputhje me kërkesën e presidentit (amerikan, Donald) Trump, sekretarit (amerikan) të Shtetit, (Mike) Pompeo, zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës amerikane, si dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, është i një rëndësie imperative, si dhe dëshmi e përkushtimit për marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

Oda Amerikane tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në Kosovë, përmes “investimeve të vazhdueshme për fuqizimin e ekonomisë, drejtësisë, qeverisjes demokratike dhe mbrojtjes e sigurisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka paraqitur javën e kaluar planin e tij për heqjen e taksës.

Kurti ka njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ai ka thënë se nëse Serbia e ndal fushatën për çnjohje të Kosovës dhe zotohet për heqjen e barrierave tregtare, nga 1 prilli, taksa do të hiqet për një periudhe prej 90 ditësh.

Nëse Serbia nuk iu përmbahet këtyre kushteve, sipas Kurtit, taksa 100% do të rivendosej nga 15 qershori dhe do të zbatohej parimi i reciprocitetit.

Ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se kërkesë e SHBA-së është që taksa të hiqet plotësisht.

Taksa 100% është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.