Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët paralajmëroi sot për një përkeqësim të shpejtë të situatës në Ukrainë pasi njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri, raporton BBC.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, paralajmëroi “pasojat humanitare mbi popullsinë civile do të jenë shkatërruese. Nuk ka fitues në luftë, por jetë të panumërta do të copëtohen”.
Agjencia e refugjatëve u bën thirrje fqinjëve të Ukrainës që t’i mbajnë kufijtë e tyre të hapur për ata që ikin dhe thotë se është e gatshme të “mbështesë përpjekjet e të gjithëve për t’iu përgjigjur çdo situate të zhvendosjes së detyruar”.
Ndërkohë, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, u bëri thirrje atyre që luftojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve.
OKB-ja kishte lëshuar tashmë një apel rekord për financim në vitin 2022 për të lehtësuar krizat në Siri, Jemen, Afganistan dhe rajonin Sahel të prekur nga thatësira në Afrikë, përcjell a2cnn. Një konflikt i mëtejshëm i madh dhe krizë refugjatësh në mes të Evropës mund t’i shtrijë burimet e saj shumë përtej kufijve të tyre.