Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në tri rajone të vendit kundër trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike
Zëdhënësi policor, Baki Kelani, njoftoi për media se operacioni është realizuar me sukses, derisa shtoi se ende s’është kompletuar.
Në këtë operacion janë kontrolluar disa lokacione.
“Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund të informoheni pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit”, thuhet në njoftimin e Kelanit.