Fjalë Kyçe

Opozita kritikon Qeverinë për gjendjen në sektorin e shëndetësisë

Opozita kritikon Qeverinë për gjendjen në sektorin e shëndetësisë

Investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po konsiderohen të kryera sa për sy e faqe, nga partitë opozitare. PDK e LDK kanë thënë se Qeveria është treguar e paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësorë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se në sektorin e shëndetësisë ka keqpërdorim të buxhetit dhe investimet po bëhen vetëm sa për ta shpenzuar atë.

Sipas tij, investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë që po bëhen po i pengojnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore.

Ai shtoi se profesionistët shëndetësorë janë dëmtuar për shkak të bindjeve politike dhe janë detyruar të largohen nga sektori publik në atë privat, po ashtu edhe jashtë vendit.

“E mirëpresim çdo investim që bëhet nëpër klinikat tona, por mënyra se si janë bërë dhe po vazhdohet të bëhet po e pengon pacientin dhe ofrimin e shërbimeve sidomos që grumbullohen në vitin e fundit zgjedhor. Profesionistët janë atakuar për shkak të bindjeve politike dhe kanë ardhur njerëz pa kompetencë në udhëheqjen menaxheriale, shumë janë detyruar të largohen nga institucionet private mbi të gjitha edhe jashtë vendit, e që është shqetësimi më i madh”, u shpreh Zemaj.

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se kushtet në sektorin e shëndetësisë gjatë kësaj qeverisje janë përkeqësuar.

Haxhiu e konsideron mangësi të madhe mosplotësimin e kushteve të punës ndaj profesionistëve shëndetësorë, të cilët si pasojë e kësaj po largohen nga vendi e në sektorin privat.

“Dështim total i kësaj qeverie në sektorin e shëndetësisë, jo që shëndetësia jonë ka qenë në një stad të lartë, mirëpo me këtë qeverisje gjendja në shëndetësinë tonë është përkeqësuar edhe më shumë në raport me vitet e kaluara. Ka qenë një paaftësi e qeverisë që me kohë të ndërmerr veprime për të parandaluar ikjen e profesionistëve shëndetësorë edhe nga sektori publik në sektorin privat, por edhe prej Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian. E kam propozuar para një viti që të ketë një strategji për të ndalur dhe përmirësuar kushtet e punëtorëve shëndetësorë në sektorin publik. Derisa ne nuk arrijmë të ofrojmë kushte të punës dhe paga të dinjitetshme për profesionistët shëndetësorë në sektorin publik, sigurisht se do të ikin në sektorin privat. I keni parë rastet e anesteziologëve të cilët shumica e kanë braktisur sektorin publik kanë kaluar në sektorin privat sepse sektori privat iu ka ofruar kushte më të mira”, thotë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka thënë se në një mënyrë apo tjetër, Qeveria është treguar e paaftë në ndërmarrjen e veprimeve për kushte më të mira të punëtoreve shëndetësorë. /EkonomiaOnline