Fjalë Kyçe

FBOUK organizoi turneun e gjashtë me radhë të Kampionatit Ballkanik “Kosova 2019”

FBOUK organizoi turneun e gjashtë me radhë të Kampionatit Ballkanik “Kosova 2019”

Në organizim të Federatës së Boulingut të Kosovës (FBOUK), në fundjavë është mbajtur edicioni i gjashtë me radhë i turneut të kampionatit ballkanik të boulingut “Kosova 2019”, që për tri ditë u zhvillua në qendrën Albi në Prishtinë,shkruan GazetaAlo.

Pjesëmarrës ishin nëntë shtete: Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Turqia, Mali i Zi dhe Rumania.

Në hapjen solemne i pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Boulingut, Marios Nicolaides, si dhe drejtori i sportit në Komunën e Prishtinës, Fitim Rexha.

Sekretari general i FBOUK-s, Mirsad Sejdiu, vlerësoi lartë organizimin e turneut. “Ky është turneu i gjashtë me radhë që organizohet nga FBOUK, ndërsa gjithçka ka shkuar sipas planit të paraparë. Turneu i Kampionatit Ballkanik “Kosova 2019”, është në kuadër të Federatës Evropiane të Boulingut (ETBF), ndërsa llogaritet ngjarja më e madhe momentale ballkanike në bouling, pasi kampionati ballkanik nuk mbahet shkaku i katër shteteve të ballkanit që nuk janë pjesë e Federatës Evropiane të Boulingut”, deklaroi Sejdiu për uebfaqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

Vendin e parë e zuri, Nick Kekesis nga Greqia, në të dytin doli, Mariana Meteksinova (Bullgari), ndërsa pozita e tretë i takoi, Tihomir Nikolov (Bullgari).

Më të suksesshmit ndër garuesit tanë dolën, Mirsad Sejdiu dhe Nysret Haziri, të cilët zunë pozitat 13 dhe 15. Pjesëmarrës ishin 38 garues. /GazetaAlo