Fjalë Kyçe

Ortopedia – klinika e mykut dhe e minjve, anulohen operacionet për 1 muaj

Ortopedia – klinika e mykut dhe e minjve, anulohen operacionet për 1 muaj

Qe dy javë në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë anuluar të gjitha operacionet jourgjente, për shkak se dy reparte janë mbyllur. Këto reparte pritet të jenë jashtë funksionit deri në fund të këtij viti, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Gjendja jo e mirë e sallave në Klinikën e Ortopedisë me Traumatologji në QKUK, shfaqja e minjve, e lagështia kanë shtyrë Inspektoratin Sanitar t’i mbyllë dy reparte të kësaj klinike.
Qe gati dy javë pacientët, të cilët kanë pasur për t’u nënshtruar operacioneve në këtë klinikë, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë.

Të gjitha rastet joemergjente për intervenim janë anuluar për shkak të kushteve jo të mira, derisa këto raste do të duhej të presin deri në fund të këtij muaji që t’u nënshtrohen operacioneve.
Një nga pacientët ka treguar për “Zërin” se e ka pasur të nevojshme t’i nënshtrohet një operacioni në këmbë, por që javën e kaluar në Klinikën e Ortopedisë i është thënë se një intervenim i tillë nuk është i mundur momentalisht.
Pacientja ka treguar se i është thënë që sallat janë me myk dhe se i duhet të presë deri në tri javë për të hyrë në operacion.

Për gjendjen jo të mirë në këtë klinikë mjekët e saj kishin alarmuar para se të mbylleshin repartet, por që menaxhmenti i QKUK-së nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim.