Fjalë Kyçe

Osmani: Aleanca me SHBA-të forcon shtetin dhe sovranitetin

Osmani: Aleanca me SHBA-të forcon shtetin dhe sovranitetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të mërkurën komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Stephen Osborn, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për planet konkrete për thellimin e mëtejmë të këtij partneriteti.

“Aleanca me SHBA-të në fushën e mbrojtjes e fuqizon shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani, sipas komunikatës presidenciale. Garda e Iowas ka qenë ndër partnerët më të afërt të FSK-së, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale çka është dëshmuar edhe në Defender Europe 2025.

“Ajo veçoi faktin se këtë vit, në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova pati nderin të mirëpresë Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe se pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas ishin pjesë aktive e forcës së përbashkët që veproi në territorin e Kosovës”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Osmani ka falënduar SHBA-në për mundësinë që ushtarët e FSK-së të kryejnë trajnime të përbashkëta në Qendrën e Trajnimit për Gatishmëri të Përbashkët në Louisiana, së bashku me pjesëtarët e Gardës së Iowas dhe forcave tjera aleate amerikane.

Garda e Iowas ka luajtur rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, duke ofruar trajnime për komandantët, specialistët ushtarakë e njësitë logjistike. Ajo ka mbështetur edhe procesin e transformimit të FSK-së në ushtri sipas standardeve të NATO-s.